Basha: Rama të jap dorëheqje, të ndjekë shembullin e Zaevit

21 tetor 2019 | 14:52

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka kërkuar sot që kryeministri Edi Rama të ndjekë shembullin e homologut të tij maqedonas, Zoran Zaev, për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. “Është koha që qeveria të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar. Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur”, ka thënë Basha në një konferencë për medie.

Ai ka thënë se refuzimi i Këshillit Evropian për hapjen e negociatave nuk ishte për Shqipërinë, por për qeverinë. “Evropa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Pa reforma serioze, të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk dëshiron t’i ndërmarrë, Europa do të vazhdojë ta refuzojë Ramën, dhe ne shqiptarët, do të vuajmë pasojat. Një njeri po na mban peng të gjithëve! Kjo duhet të marrë fund”, ka deklaruar ai.
Sipas kreut të opozitës, kushtet e BE-së janë i vetmi udhërrëfyes për daljen nga kriza dhe se vendit i duhet një qeveri e re, e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme që çon përpara procesin integrues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Baton Dushi, këshilltari i ministrit në largim të Arsimit, Shyqyri…