Basha takon përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës
Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë protestuar të hënën para Kuvendit të Kosovës.
Ata, ka dalë për t’i takuar kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ku me pas i ka pritur edhe në takim përfaqësuesit e tyre.
Sipas njoftimit, biseda është zhvilluar me mirëkuptim, me synimin për të gjetur zgjidhje të drejtë për pagat e merituara të punëtorëve të RTK-së dhe për funksionimin e qëndrueshëm financiar të institucionit publik të transmetimit.
“Si kryetar i Kuvendit, kam dhënë mbështetjen time të plotë për zgjidhjen e kësaj situate, pasi tashmë kemi një Kuvend funksional dhe ekziston mundësia ligjore për të vepruar në këtë drejtim. Të njëjtën qasje e kam mbajtur edhe në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, ku kam kërkuar formimin e trupave parlamentare, në mënyrë që të hapet rruga për Komisionin përkatës për Buxhet, i cili më pas do të mund të miratonte raportin e shpenzimeve të RTK-së dhe të mundësonte procedimin e mjeteve përmes thesarit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Basha.
Megjithatë, Basha, ka thënë se kjo mbështetje nuk është e mjaftueshme.
“Prandaj, në frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi, u bëj thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve të tjera parlamentare që ta mbështesin këtë iniciativë, sepse votimi për komisione nuk është çështje politike, por çështje e funksionalizimit të institucionit publik të transmetimit dhe mirëqenies së rreth 700 familjeve që jetojnë nga puna dhe pagat e punëtorëve të RTK-së”, ka theksuar Basha.




