Hill thotë se kontakti i tij i parë me UÇK-në ndodhi në verën e ’98-s
Christopher Hill, diplomat i pensionuar karriere, ka bërë me dije në Hagë se kontakti i tij i parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka ndodhur në verën e vitit 1998 në Tiranë të Shqipërisë.
“Derisa po punoja me stafin tim dhe të tjerë, duhej të gjenim një zyrtar apo grup zyrtarësh të UÇK-së me të cilët mund të flisnim lidhur me UÇK-në. Duhet të shtoj se kam punuar për një kohë në këtë drejtim pa pasur sukses dhe arritëm në përfundim se nuk kishte një udhëheqje të tillë. Pra, këtu bëhej fjalë për një grup njerëzish në nivel vendor, që ishte përshkrim shumë më i saktë i asaj me të cilën po merreshim ne”, ka thënë Hill, duke iu referuar UÇK-së.
Ai ka thënë se në Tiranë ka takuar “dikë që na e kishin përshkruar si kreun e UÇK-së”.
“Unë dhe kolegët e mi erdhëm në përfundim se ai vepron brenda kësaj lëvizjeje, por nuk mund të flasë në emër të UÇK-së. Ne vazhduam punën për të gjetur njerëz që mund të flisnim si përgjegjës për këtë. Shkuam në verë dhe vjeshtë të ’98-s në Likoc”, ka treguar Hill.
Hill ka thënë se nuk i kujtohej emri i personit të parë nga UÇK-ja me të cilin ishte takuar, por i kërkoi avokatit që e merrte në pyetje për t’i thënë ndonjë emër.
Avokati e la pyetur nëse ishte Xhavit Haliti dhe Hill i ka thënë se “po”.



