Bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, Muharrem Sinan Smakiqi, nderohet me urdhrin ‘Hero i Kosovës’

30 gusht 2020 | 23:52

Shkruan: Bashkim Smakaj

Diku në vitin 1996, një delegacion nga fshati Abri e Ulët dhe Skenderaj kishin ardhur në shtëpinë tonë në fshatin Këpuz dhe po bisedonin me babanë tim, Tahir Smakiqin, lidhur me propozimin e tyre që shkollës fillore të fshatit Abri t’i vendosej emri i gjyshit, Muharrem Sinan Smakiqi.

Babai nuk ishte pajtuar dhe sigurisht që ne nuk i dinim arsyet e atij refuzimi, por secili prej nesh ishte ngazëllyer me atë propozim.

Kaluan vitet dhe nisi lufta në Kosovë. Familja e Muharrem Smakiqit pothuajse e tëra iu bashkua luftës, përfshirë këtu edhe djemtë e vajzës së vetme të Muharremit nga fshati Përçevë, për ta dhënë kontributin e tyre për lirinë e Kosovës.

Si i ri isha shumë i etur që t’i mësoja arsyet pse baba kishte refuzuar propozimin që shkollës së fshatit Abri t’i vendosej emri i gjyshit. Në vjeshtën e vitit 2003, kur ai ishte diagnostifikuar me kancer dhe i kishte ditët e fundit të tij, teksa po i qëndroja afër një ditë e pyeta pse kishte refuzuar.

“Që do të bëhej luftë nuk kam pasur asnjë dyshim. Por, nuk e dija nëse do ta vazhdonim kontributin e gjyshit për ketë vend. Sikur ta dija që do ta vazhdonim edhe në këtë luftë, nuk do të hezitoja për asnjë moment. Kisha frikë se mund ta koritnim varrin e tij”, ishte përgjigjja e babës.

Sot, si familje jemi shumë të nderuar që Presidenti i Republikës së Kosovës ka dekoruar gjyshin, Muharrem Sinan Smakiqin, pas vdekjes, me urdhrin “Hero i Kosovës”. Ky është një vlerësim i lartë nga shteti i Kosovës për kontributin familjar në luftën shekullore të popullit tonë për çlirim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas debatit e cila ka zgjatur dy ditë, dje dhe…