Bashkëluftëtarët e djeshëm, me politikë kundër veprës së vet (1)

08 korrik 2020 | 11:15

Shkruan: Kudusi Lama

Në çdo rast kur sulmohesh, e drejta e jetesës të kërkon të reagosh dhe të mbrohesh. Njëkohësisht instinkti vepron menjëherë pa u vënë në veprim logjika. Fatkeqësia qëndron në faktin, që në politikë, mjeshtrit, nuk kërkohen për ta nxitur zhvillimin e për t’i treguar rrugët më të suksesshme për një të ardhme të sigurt për njerëzimin, por për t’i zhvilluar interesat e disave mbi të drejtat e disa të tjerëve, pa i vrarë fare ndërgjegjja për atë që bëjnë.
Të kuptuarit e njerëzve po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Pajtimi midis tyre, me gjithë përpjekjet që bëhen, është në nivele shumë të ulëta. Të fuqishmit mendojnë vetëm si të sundojnë të tjerët. Perspektiva e paqes duket akoma e largët. Mendësia e hileve dhe e dominimit të të fortëve është e pranishme. Gjithkush i jep të drejtë vetëm vetes. Edhe në debate midis dy personave është shumë e vështirë të gjendet konsensusi mbështetur mbi të drejtën e të vërtetën.
Kultura dhe historia tentohen të personalizohen. Edhe shkenca e arkeologjisë tentohet të politizohet dhe të shfrytëzohet për interesa të atyre që kanë mundësi ose që kanë fuqi. Duket pra se fajtori për veprat e veta do t’i akuzojë të gjithë, përveç vetvetes.
Por ne duhet të jemi të qartë se akuza nuk është pëllumb, i cili mban me vete dhe sjell ndër ne gjethen e ullirit si simbol të paqes, ajo është shigjetë që na lëshohet mbi gjoksin tonë dhe që në qoftë se nuk vendosim mburojën jemi të destinuar të vdesim.
Megjithëse ne shqiptarët jemi mësuar me akuza. Kjo nuk do të thotë se duhet të vazhdojmë të pranojmë çdo lloj llumi, që mund të hedhë dikush drejtë nesh. Ne historikisht kemi dhënë tolerancë. Por kjo nuk mund të jetë deri në fund, pasi në fund vjen vdekja. A është mirë të vdesim për hatër të tolerancës, mirësisë e qetësisë? Mendoj që jo. Çdo gjë ka një kufi.
Shqiptarët po ndërtojnë një shtet të ri. Dihet që për të ndërtuar një shtëpi është vështirë, jo më një shtet. Por këtë shtet ne duhet ta ndërtojmë duke nderuar njeri tjetrin e duke punuar fortë. Por përballë akuzave monstruoze udhëheqësit e shtetit ndihen në vështirësi. Është vështirë të përballohen edhe ngarkesa e punës, edhe akuzat nga më të rëndat deri kanibaleske. Pra, dikush, udhëheqësit tanë ka dëshirë t’i konsiderojë kanibalë. Por ne kemi një histori të njohur, që për fatin tonë të keq i jemi nënshtruar kanibalizmit, por kurrë nuk kemi bërë vepra të tilla ndaj të tjerëve.
Mirëpo edhe kjo e ka një qëllim. Dikush do që ne të ndihemi nën trysni. Dikush do që udhëheqësit tanë të bëhen lajkatar. Të jenë të nënshtruar e të pasinqertë, sepse janë nën goditjet e akuzave. Ata e dinë mirë se “lajka është si paraja fallso…”, por ashtu kanë dëshirë të jemi ne për ta. Ashtu ju intereson të jenë ata që do të jenë përballë serbëve në bisedimet e quajtura të ardhshme.
Dikush mund të thotë se e drejta del në shesh. Por ne e duam të drejtën sot, nuk e duam kur të dalë, pasi ndoshta është shumë vonë. Ne e dimë që “padrejtësia të zhyt, por nuk të mbyt”, ama, ne nuk kemi kohë as të zhytemi. Jemi zhytur deri tani aq shumë sa duket se atyre që janë mësuar të na zhysin, u është bërë shprehi të na shohin vetëm të zhytur. Por jo, tashmë ne kemi mësuar të qëndrojmë drejt dhe me dinjitet, nuk ka asnjë forcë që të na e thyej kolonën e vertebrave tona të drejtqëndrimit.
Është e ditur se kur diçka nuk na shkon për shtati, shumë më lehtë e kemi të akuzojmë se sa t’i kuptojmë shkaqet e ndodhive. Kështu po ndodh edhe në këtë rastin e fundit, që unë e di, se nuk do të jetë i fundit. Kam thënë edhe më herët që edhe për 50 vjet mentaliteti sllav e serb për shqiptarët e trojet e tyre nuk ndryshon.
Ne e dimë se është vlerë që polemikave të ashpra siç është rasti i rrjedhojave që erdhën në këto vite si rrjedhojë e raportit të zotri Dick Marty-t duhet t’u qëndrohet larg. Por a mund të qëndrohet larg dhe vërtetë a duhet shmangur pjesëmarrja në këtë polemikë, që po tenton të na nëpërkëmbë djemtë që bënë luftën dhe shporrën pushtuesin? Natyrisht që jo. Dhe kjo ka arsyet e veta, për faktin se shmangiet deri tani janë marrë për dobësi, si dhe përhapja e opinioneve sipas dëshirave serbe, na kanë dëmtuar mjaft.
Në gjërat e rëndësishme duhet lëshuar pe, vetëm kur të paktën të ndjejmë se për një pjesë të pretendimeve apo të akuzave si në rastin konkret, ka vërtetësi. Por, kur absurditeti është në nivelet e shpifjeve banale dhe shumë të rënda, pa menduar fare se edhe ne jemi njerëz dhe që kemi personalitet, jo nuk duhen bërë lëshime, por duhet qëndruar fortë si një bllok kombëtar. Ndërsa për gjërat e pa rëndësishme do të rekomandoja, që edhe atëherë kur e dimë se kemi plotësisht të drejtë të mos merremi me asnjë personazh, qoftë edhe me përmasa të mëdha botërore. Thotë një fjalë e urtë se, “më mirë është qe t’i shmangemi qenit nga rruga, se sa ta lejojmë të na kafshojë, sepse edhe po e mbytëm atë, plaga do të mbetet”. Por kjo nuk do të thotë, që të ikim nga rruga jonë kombëtare.
Ne e dimë se “dashamirësia dhe mirësjellja janë shumë më të forta se imponimi dhe dhuna”. Por duket se këtë deri tani nuk e kanë kuptuar serbët dhe të gjithë ata që u shërbejnë atyre. Të mësuar me presione, dhunë, shpifje dhe akuza për shqiptarët, serbët e kanë të vështirë të mësojnë mënyrë tjetër sjelljeje. Këtë vërtetë që ne duhet ta dimë dhe e dimë, por si i bëhet kur mercenarët e serbëve, nga pushteti i Europës tentojnë të na ndyjnë.
Kombi shqiptar ka manifestuar gjatë historisë së jetës së tij gjithë cilësitë më të larta të njohura në jetën njerëzore. Është me rëndësi të njihen dhe evidencohen ato publikisht, pasi kanë të bëjnë me portretizimin e performancës sonë kombëtare. Këto cilësi për ne shqiptarët janë skalitur në ndërgjegjen kombëtare dhe kanë fituar vendin e tyre në prehrin e kombit, duke dhënë kontributin e duhur në klasifikimin e shqiptarëve si kombi i kulturës më të lashtë njerëzore. Kombi shqiptar ka prodhuar liderë të mëdhenj të cilët kanë sunduar në botë. Ata kanë qenë edhe mbretër të Ilirisë, perandorë të Romës e të Bizantit, udhëheqës të mëdhenj të Perandorisë Osmane, ideologë dhe politikanë që kanë bërë epokë, poetë dhe shkrimtarë të spikatur, mbrojtës qytetërimesh dhe udhëheqës shpirtërorë të botës mbarë.
Iniciativa dhe vrulli në jetën kombëtare shqiptare janë bashkudhëtarë të historisë. Ani pse mjaft është tentuar të zhbëhet historia jonë dhe qenia jonë siç po tentohet edhe sot në kohët moderne. Shqiptarët kanë forcë psikologjike dhe moral të lartë në ndërtimin e ardhmërisë së tyre. Çdo tentativë për t’i vënë ata në bankën e të akuzuarit nuk i ka cenuar vlerat e tyre. Gjykimi ynë është i shëndoshë dhe aftësia për gjykim ka treguar vazhdimisht se shqiptarët janë njerëz të aftë të menaxhojnë jetën dhe fuqinë e tyre me kompetencë.
Një veti e veçantë që trashëgojnë shqiptarët është edhe aftësia për të vlerësuar. Për të vlerësuar gjithçka. Vlerësohet miku e armiku, udhëtari e bashkudhëtari, fqinji e kalimtari; vlerësohet historia, politika, psikologjia, morali, forca, organizimi, gatishmëria, uniteti, intelekti, ekonomia, etj.; dhe prej këtej dilet në përfundime për qëndrimet që duhen mbajtur e nismat që duhen ndërmarrë në ballafaqim me armiqtë për të siguruar të ardhmen e kombit dhe të historisë së tyre.
Shqiptarët asnjëherë nuk kanë kërkuar të mbushin portretet e të tjerëve. Por gjithnjë kornizën e portretit të tyre e kanë mbushur vetë. Fuqia e tyre krijuese i ka bërë të jenë gjithnjë të pranishëm përballë përpjekjeve të armiqve për t’i zhdukur e asimiluar. Shqiptarët kanë një përvojë të sistemuar, pa të cilën nuk do të ishin aq të fuqishëm sa të mbijetonin përpara vorbullës së egër të jetës nëpër të cilën kanë kaluar prej shekujsh. Po të ishin ndryshe edhe ata do të ishin zhdukur sikur janë zhdukur bashkëkohësit e tyre, në emër të asaj që quhet modernizim. Por duhet të dihet se modernizimi është i lindur prej qëndresës e jo prej ndërrimit të formës, sa herë ndërrojnë erërat e kohërave.
Gjuha jonë, që rilindësit e kanë emërtuar gjuhë perëndie, nuk është një gjuhë e lindur diku nëpër rrugët e ndryshimeve, por është një gjuhë që ka lindur bashkë me kombin tonë. Ajo është gjuha që ka ardhur prej thellësisë së kohërave vetëm për t’i bindur përfundimisht popujt e kohëve moderne se shqiptarët janë ndër themeluesit e kulturës botërore. Janë ata që i dhanë qytetërim edhe Athinës e Romës në lashtësi. Të cilat kur vihet në tryezë lashtësia e shqiptarëve duket se janë krijesa shumë të reja. Këtë tashmë po e thonë të gjithë në mënyra të ndryshme, e që do ta thonë më të saktësuar në të ardhmen.
Shqiptarët janë kombi që ka në ndërtimin e aftësive të tij universalitetin në të nxënë, në të studiuar, në aftësinë për të përcaktuar prioritetet, në përballimin e ngarkesës nën stres, në vendosmërinë për të arritur atë që është e nevojshme për jetën dhe të ardhmen e tyre, në përballimin me qëndrueshmëri për t’u pasur zili të vështirësive të jetës. Dhe të gjitha këto me përkushtim, nëpërmjet impenjimit të gjithanshëm për të rritur unitetin përballë trysnisë së të gjithë atyre që historikisht vetëm kanë bërë përpjekje të kafshojnë kombin e atdheun tonë. Shqiptarët nuk janë mësuar të bëjnë teorizime, kur është puna për të ardhmen kombëtare, por gjithnjë me praktikën më të spikatur i kanë dalë zot vendit të tyre, pa marrë parasysh forcën e kundërshtarit dhe gjithnjë janë shpërblyer me fitore, megjithëse në shumë raste mjaft vonë, por që përballë forcave të mëdha të armiqve, fitoret gjithnjë kanë qenë nderi i shqiptarëve.
Kush erdhi si mik në këto troje të lashta të shqiptareve dhe nuk u prit si mbret? Kush erdhi në këto troje si mik dhe nuk u bë i pa prekshëm? Kush erdhi në këto treva si mik dhe nuk iu krijuan të gjitha mirësitë? Kush erdhi si mik në këto troje dhe nuk u mbrojt me gjithë forcën deri në vdekje? Kush pati nevojë për ndihmë dhe nuk ia dhanë shqiptarët? Kush erdhi në besën e shqiptarëve dhe nuk u ndie i sigurt? Kush u mund nga shqiptarët në trojet e tyre dhe nuk u mëshirua si i mundur? A nuk e dinë historinë ata që shkruajnë? Do të doja që me të njëjtën mirësi të na kthehet edhe prej të tjerëve mirësia që japim. Por realisht më vjen çudi që megjithëse edhe ushtarët që kanë ardhur si pushtues i kemi mëshiruar kur janë mundur, ata shumë shpejt kanë ardhur si pushtues e masakrues përsëri. Referojuni vitit 1915, kur ushtria serbe u mund nga austriakët në territoret shqiptare, që me gjithë masakrën e viteve 1912 e 1913 që kishin bërë serbët, shqiptarët i mëshiruan ushtarët e mundur serb, i mbajtën në shtëpitë e tyre, i fshehën prej forcave austriake, i ushqyen dhe i përcollën për në shtëpitë e tyre, por ata vetëm pas pesë vjetësh më 1920 u kthyen përsëri si masakrues të atyre që i mbrojtën. A nuk ndodhi kështu edhe në luftën e 1940-s me ushtrinë greke, kur mbeti maleve të Shqipërisë në luftë me italianët? Dhe megjithatë më 1945 u kthyen në masakruesit me mesjetar të shqiptarëve për kohën e arritën deri atje, sa për interesa shfarosëse e përvetësimit të trojeve të formulojnë edhe një ligj lufte me Shqipërinë, të cilin edhe sot e mbajnë si letër shansi, për presione. Po ushtria italiane me 1943 a nuk u ushqye prej shqiptarëve, u mbajt në shtëpi e u fsheh nga gjermani një lloj sikur të ishin djem të shqiptarëve, megjithëse ishin pushtuesit që për pesë vjet kishin masakruar popullin mbarë? Gjithnjë shqiptarët janë përpjekur të shpërndajnë mirësi dhe qytetari, e për çudi, sapo të ngrenë zërin, për të drejtën e tyre quhen të prapambetur, të pa zhvilluar, kriminelë, jo evropianë, thuajse Evropa ka ardhur nëpër lëndinat e parajsës jo nëpër lumenjtë e detet e gjakut që ka derdhur në gjithë historinë e derisotme të saj. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Boksit e Kosovës ka publikuar listën e boksierëve…