Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në arsim dhe shkencë është domosdoshmëri për Integrimin Ndërshqiptar!

25 shkurt 2020 | 14:56

Nga Prof. Dr. Myqerem Tafaj

Republika e Kosovës festoi javën e kaluar 12 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Sot, 20 vite pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës nga zgjedha serb, si dhe 12 vite pas shpalljes së Pavarësisë, është e rëndësishme të hedhim një vështrim, se si është zhvilluar dhe deri ku ka arritur bashkëpunimi midis dy shteteve të të njëjtit komb, në fushën e arsimit dhe të shkencës, e cila duhet t`i paraprij bashkëpunimit në çdo fushë tjetër ekonomiko shoqërore.

Bashkëpunimi në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, artit, sportit është përcaktues, jo vetëm për ecurinë e bashkëpunimit në fusha të tjera, por edhe për gjithë procesin e integrimit kombëtar. Në këtë kontekst, i gjithë procesi i bashkëpunimit midis dy vendeve duhet të konceptohet dhe ndërtohet në mënyrë që ai t’u krijoj hapësirë integrimi edhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, pra që ai të zhvillohet vërtetë si bashkëpunim afatgjatë mbarëkombëtar, i cili i paraprin Integrimit Ndërshqiptar në Ballkan. Ky proces do të kërkoj ndoshta shumë më tepër kohë nga sa e kemi menduar deri tani, dhe do të vazhdoj edhe pas anëtarësimit vendeve tona në BE. Këtu mjaftojmë të kujtojmë përvojën e Gjermanisë 30 vjet pas bashkimit.

Marrëveshja ndëqeveritare e bashkëpunimit Shqipëri Kosovë në fushën e arsimit dhe shkencës u nënshkrua në vitin 2010. Me anë të kësaj marrëveshje u intensifikua bashkëpunimi në fushën e kurrikulave si dhe hartua, në vitin 2012, Abetarja e përbashkët, e cila vazhdon të përdoret në Shqipëri dhe Kosovë. Por ajo, edhe pse e anatemuar nga kjo qeveri, mbeti i vetmi tekst mësimor i përbashkët. Nuk u përvijua puna për hartimin e teksteve të tjera të përbashkëta në shkencat e identitetit tonë kombëtar. Sot duhet të ishin të përfunduar të paktën tekstet e përbashkëta të Gjuhës shqipe, Historisë së Shqiptarëve, Letërsisë shqipe. Por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur ende. Është për tu vlerësuar përafrimi i kurrikulave në arsimin parauniversitar. Por ne jemi ende larg në përafrimin e kurrikulave të formimit universitar të mësuesve të rinj, përfshirë edhe Provimin e Shtetit. E them këtë, sepse e shoh shumë të afërt ditën kur të dy vendet, sidomos në rajonet kufitare, do ta kenë të domosdoshme që të rekrutojnë mësues të të dy vendeve. Ne duhet të përgatitemi për një treg të hapur punësimi të mësuesve të rinj, cka do të ishte me përfitime reciproke për të dy vendet, dhe do të ishte një “rizgjim” i traditës së hershme, madje të fillimit të shekullit të kaluar, kur në shkollat e Shqipërisë punonin mësues nga Kosova dhe në shkollat e Kosovës punonin mësuesit normalistët e Elbasanit.

Bashkëpunimi midis dy vendeve në arsim mbushet me jetë nga nxënësit dhe studentët. Duhen kërkuar dhe zhvilluar forma më realiste të shkëmbimit dhe mobilitetit të nxënësve dhe studentëve Shqipëri -Kosovë. Aktualisht kemi mobilitet më shumë njëkahësh të nxënësve dhe studentëve nga Kosova në Shqipëri, dhe shumë më pak nga Shqipëria në Kosovë. Në këtë shekull kur Procesi i Bolonjës synon që të paktën 1 në 5 studentë duhet të ketë ndjekur një semestër të studimeve në një nga universitetet e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë, na rezulton që ne nuk shkëmbejmë studentë midis universiteteve të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe universiteteve të tjera shqipfolëse në Ballkan!

Gjendja e sotme tregon se nuk ka një progres substancial të bashkëpunimit midis universiteteve dhe midis Akademive te Shkencave, edhe pse ka shumë marrëveshje në letër. Shkaqet janë të ndryshme. Por, sipas mendimit tim, shkaqe më të rëndësishme janë mungesa e politikave reale mbështetëse për bashkëpunim intensiv,  si dhe një prirje paradoksale e “vetizolimit” e vet universiteteve shqiptare. Është e pabesueshme që, në fund të dekadës së dytë të shekullit të shoqërisë së dijes, universitetet të priren për t´u vetizoluar. Ky vetizolim nuk është pasojë vetëm e financimit të pamjaftueshëm, por edhe e mungesës së vizionit për internacionalizimin e universiteteve.

Është paradoksale që, vitet e fundit, po ulet çdo vit e më shumë, shkëmbimi i pedagogëve midis dy vendeve. Ndërkohë që edhe në vitet e regjimit të Titos ekzistonte shkëmbimi i profesorëve midis universiteteve të Shqipërisë dhe Universitetit të Prishtinës. Kjo traditë u zgjerua pas vitit 1990 dhe filloi të intensifikohet pas përfundimit të Luftës së Kosovës. Universitetet e Shqipërisë kanë një kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin akademik të universiteteve të Kosovës dhe të Universitetit të Tetovës, jo vetëm në zhvillimin e programeve mësimore dhe të lëndëve, por edhe në udhëheqjen dhe promovimin e pedagogëve të tyre. Ky grup pedagogësh shërben akoma si urë lidhëse midis universiteteve. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë asnjë pengesë për të krijuar një treg të përbashkët të punësimit të pedagogëve dhe kërkuesve. Ende numërohen me gishtat e dorës profesorët nga Kosova në Shqipëri dhe e kundërta. Edhe ato pak raste i përkasin shkollave të larta jo publike. Për të mos thënë që, në këtë aspekt, po vihet re regres! Madje, janë ende të pakta rastet kur zhvillohen module nga grup pedagogësh nga të dy vendet, ndërkohë që edhe Procesi i Bolonjës synon mobilitetin e pedagogëve të vendeve të ndryshme ne gjuhë të huaj! Kjo kërkon që universitetet dhe qendrat kërkimore të zhvillojnë politika më të hapura rekrutimi të personelit akademik shkencor.

Sot, duhet të kishim shumë diploma të përbashkëta të universiteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos në nivelin Master dhe Doktoratë, fillimisht në shkencat shqiptare, pastaj edhe në shkencat e tjera. Madje, ka një Marrëveshje të nënshkruar që në vitin 2011, midis Universitetit të Tiranës dhe atij të Prishtinës, për programe të përbashkëta të doktoratës në gjuhësi dhe histori. Por ato nuk po vazhdojnë. Do të ishte plotësisht realiste që, sot, pjesa më e madhe e programeve të doktoratës në universitetet shqipfolëse duhet të ishin të përbashkëta, doktorantët të udhëhiqeshin nga profesorë nga universitetet e ndryshme shqipfolëse dhe studimet e doktoraturës të realizoheshin një pjesë në Shqipëri dhe një pjesë në Kosovë. Kjo do të bënte që brezi I ri I pedagogëve, I cili do të zhvilloj karrierën e tij përgjatë 4-5 dekadave që vijnë, të ndihej pjesë e komunitetit akademik në Kosovë dhe në Shqipëri dhe kjo do të ishte garancia më e madhe e integrimit ndërshqiptar, më së pari të vet komunitetit akademik. Për ta realizuar këtë nuk ka asnjë pengesë, përveç tendencës vetizoluese edhe në komunitetin akademik shqiptar.

Prirja vetizoluese e universiteteve dhe institucioneve kërkimore shqiptare shfaqet edhe në kërkimin shkencor dhe veprimtarinë botuese. Vetëm dy veprimtari mbarëshqiptare zhvillohen rregullisht: seminari i Albanologjisë në Prishtinë dhe konferencat e Alb-Shkencës (kjo e fundit fatkeqësisht po shuhet me shpejtësi nga viti në vit!). Aktualisht nuk ekziston asnjë organ shkencor periodik i përbashkët, madje as në gjuhën shqipe, çka është e pabesueshme! Duket më I madh interesi për të botuar në gjuhën angleze dhe harrohen botimet në gjuhën shqipe, çka do të çoj në një varfërim të pakapërcyeshëm kulturor shqiptar. Çdo botim në shqip, pavarësisht nga fusha e shkencës, është një gurë, sado I vogël qoftë ai, në murin e kulturës kombëtare shqiptare. Ky zhvillim nuk i shërben zhvillimit dhe integrimit mbarëkombëtar.

Meqenëse shqiptarët në Ballkan janë vetëm rreth 8 milion dhe të ndarë në pesë shtete, kjo bën që edhe komuniteti shkencor sipas fushave të jetë i vogël, madje në disa fusha shumë i vogël, çka bën që ne të mos arrijmë të kemi një “minimum të mjaftueshëm kritik” të komunitetit akademik për formimin e një mendimi shkencor shqiptar në fushën përkatëse, madje edhe në shkencat e identitetit kombëtar. Ne nuk aspirojmë të bëjmë shpikje në shkencë, por çdo komb e zhvillon mendimin e tij shkencor sipas fushave, në mënyrë që përmes tij t`i paraprijë edhe zhvillimit të gjithanshëm kombëtar. Ka fusha të shkencës ku të gjithë kërkuesit shkencorë të Shqipërisë, Kosovës, dhe ata të gjithë trojeve shqiptare në Ballkan, të marrë së bashku, përbëjnë një komunitet shkencor shumë të vogël, me rreth 300-400 veta dhe po të punoj dhe të zhvilloj veprimtari shkencore I ndarë, ai e ka të vështirë të mbijetojë, pa folur për të zhvilluar një mendim shkencor sado modest qoftë ai.

Përvoja e vendeve të tjera tregon se shoqatat shkencore ku aderojnë kërkuesit nga vendet e ndryshme, kanë pasur një kontribut përcaktues për zhvillimin e fushave të shkencës dhe të mendimit shkencor. Një shembull është modeli i shoqatave dhe fondacioneve gjermanishtfolëse, ku aderojnë dhe bëjnë jetën e tyre shkencore kërkues nga të gjithë vendet gjermanishtfolëse. Ose përvoja e Universitetetit Nordik të përbashkët të Suedisë, Norvegjisë dhe Finlandës. Madje, Programi Erasmus Plus (Thirrja 2020) po nxit modelin e “European Universities”, pra modelin e universitetit me bashkëveprim të disa universiteteve europiane në fusha të përbashkëta. Ne ende diskutojmë për bashkëpunimin midis universiteteve të të njëjtit komb! Është e domosdoshme mbështetja dhe nxitja e krijimit të Shoqatave Mbarëkombëtare Shkencore sipas fushave, çka do realizonte një bashkim me efekte të mëdha sinergjike të kërkuesve nga të gjithë trojet shqiptare në Ballkan si dhe të Diasporës shkencore shqiptare. Këto shoqata, nëse do të ishin funksionale, do të rrezatonin efekte të jashtëzakonshme pozitive, jo vetëm në zhvillimin e arsimit, shkencës, kulturës, por ato do të ishin edhe “Think Tank” -e ekselente shqiptare që do të kontribuonin në zhvillimin e strategjive afatgjatë dhe të rekomandimeve për politikën dhe politikbërjen e vendeve tona në cdo fushë, si dhe për zhvillimin dhe prosperitetin e kombit shqiptar.

Shqipëria dhe Kosova nuk kanë asnjë pengesë për të krijuar qendra të përbashkëta kërkimore, agjenci/ fondacione të përbashkëta kërkimi, kurrikulash, madje edhe të cilësisë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Kjo është më shumë çështje vizioni, strategjie e zhvillimit të arsimit dhe shkencës dhe e vullnetit politik të qeverive të të dy vendeve. Mbështetja financiare është e mundur thjesht përmes bashkimit të fondeve të të dy vendeve. Edhe në këtë plan ne thjesht po humbasim kohë! Ekzistojnë dhjetëra modele institucionale për krijimin dhe funksionimin e qendrave dhe institucioneve të përbashkëta të kërkimit shkencor. E para duhet të ishte Qendra Shqiptare e Studimeve Albanologjike, ku të bëhen studime albanologjike nga studiuesit e shkencave albanologjike të Shqipërisë dhe Kosovës, e hapur për të pritur edhe studiuesit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës. Kjo qendër duhet të bëhet edhe institucioni që do të pres albanologët e rinj të huaj, çka është shumë e rëndësishme kur po rritet presioni për bërthamat e albanologjisë në universitetet e huaja. Ne duhet të shkojmë në Akademinë e Shkencave të përbashkët. Qendra të tilla kombëtare ndërshqiptare mund të krijohen dora-dorës edhe në shkencat e tjera. Qendrat Ndërshqiptare të Kërkimeve do të kenë efekte sinergjike të jashtëzakonshme, sepse bashkojnë burimet njerëzore më të kualifikuara, infrastrukturën kërkimore, fondet, dhe, mbi të gjitha, realizojnë një integrim të vërtetë të komunitetit akademik shkencor shqiptar, për të prodhuar cilësi shumë më të lartë të studimeve, kërkimeve dhe botimeve shqiptare në çdo fushë të shkencës. Sa më shumë të vonohemi në integrimin e komunitetit shkencor shqiptar, aq më shumë kohë humbasim dhe aq më shumë e thellojmë prapambetjen në shkencë në krahasim me vendet e zhvilluara.

Gjendja e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, librit, artit mishëron edhe nivelin e përgjithshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Fatkeqësisht klima e bashkëpunimit midis dy vendeve është vite dritë larg mundësive për dy vende fqinjë, dhe jo më për dy vende të të njëjtit komb, madje ajo është përkeqësuar aq shumë, sa që ka arritur në nivelin më të ulët, së paku, të pas vitit 1990. Pasojat e marrëdhënieve kaq të përkeqësuara dëmtojnë jo vetëm rolin e shqiptarëve në Ballkan, por edhe vonojnë shumë zhvillimin e gjithanshëm të dy vendeve, si dhe kontribuojnë në largimin akoma më të madh dhe nuk i shërbejnë integrimit ndërshqiptar.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar ambasadoren…