
Bashota prezanton Majlinda Morinën, kandidaten e PDK-së me numër 17 në Klinë
Kandidati për kryetar të Klinës, Sokol Bashota ka vazhduar me prezantimin e kandidatëve për asamblenë komunale. Bashota ka prezantuar Majlina Morinën me numër 17 të listës zgjedhore të PDK-së .
Prezantimi i plotë i Majlinda Morinës nga kandidati për kryetar, Sokol Bashota:
Majlinda Hazir Morina është një ndër të rejat e dalluara, e lindur në fshatin Grabanicë të Klinës, e cila rrjedh nga një familje punëtore me tradita të larta atdhetare. Familja Morina, me babain Hazirin në krye, ishte pjesë aktive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë kontribut të çmuar për lirinë e vendit, një rrugë të cilën e vazhdojnë edhe sot me përkushtim e dinjitet.
Rruga e Majlindës është shembull i punës, disiplinës dhe përkushtimit. Shkollimin e mesëm e përfundoi në drejtimin e Mjekësisë, duke u licencuar si Infermiere e Përgjithshme, profesion të cilin e ushtroi me përkushtim për katër vite në Klinikën Endokrinologjike “Klinika Kroate A. Haxhiu” në Prishtinë. Përvoja e saj profesionale dëshmon aftësinë dhe seriozitetin e saj në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Nga viti 2020 deri në vitin 2024, Majlinda ndoqi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku përveç rezultateve të larta akademike, zhvilloi edhe praktikë profesionale në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, duke fituar njohuri të drejtpërdrejta mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Aktualisht, ajo është në përfundim të studimeve master në programin “E Drejta Civile dhe Biznesore” në kuadër të Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, duke dëshmuar qartë synimin e saj për të qenë pjesë aktive e sistemit juridik dhe shoqërisë civile në vend.
Majlinda Morina është shembull i gjeneratës së re, e formuar, e përkushtuar dhe e lidhur ngushtë me vlerat familjare e kombëtare, e gatshme për të kontribuar me profesionalizëm dhe integritet në të ardhmen e vendit.