Bastiset selia e Deutsche Bank në Frankfurt dhe Berlin, nisin hetimet për pastrim parash, i dyshuar edhe oligarku rus Roman Abramovich

28 janar 2026 | 18:54

Policia Federale e Gjermanisë ndërmori sot papritur kontrolle në selinë qendrore të Deutsche Bank në Frankfurt, si edhe në degën e saj në Berlin, për shkak të dyshimeve për përfshirje të bankës në pastrim parash, raportoi revista gjermane Der Spiegel. Në këtë çështje dyshohet se është i përfshirë edhe oligarku rus Roman Abramovich.

Sipas Der Spiegel, rreth 30 efektivë policie me rroba civile mbërritën në selinë qendrore të Deutsche Bank, pranë lumit Main në Frankfurt, pak pas orës 11:00, me urdhër të Prokurorisë lokale për Krime Ekonomike.

Prokuroria po zhvillon hetime “kundër drejtuesve ende të paidentifikuar të Deutsche Bank, nën dyshimet për pastrim parash”.

Banka dyshohet se në të kaluarën ka pasur marrëdhënie biznesi me kompani të huaja, të cilat me shumë gjasë janë përdorur “për legalizimin e të ardhurave nga veprimtari të paligjshme”.

Prokuroria e Frankfurtit deklaroi se nuk mund të japë informacione të mëtejshme lidhur me prapaskenën e këtyre marrëdhënieve biznesi, transaksionet e kryera përmes Deutsche Bank apo kompanitë e përfshira në hetim.

Deutsche Bank konfirmoi zhvillimin e kontrolleve, duke theksuar se po bashkëpunon plotësisht me Prokurorinë e Frankfurtit, pa dhënë detaje të tjera. “Konfirmojmë se Prokuroria e Frankfurtit po kryen kontrolle në ambientet e biznesit të Deutsche Bank. Banka bashkëpunon plotësisht me autoritetet”, deklaroi një përfaqësues i bankës.

Hetimi duket se lidhet me oligarkun rus Roman Abramovich, ish-pronar i klubit të futbollit Chelsea. Abramovich është vënë nën sanksione nga Bashkimi Evropian që prej marsit 2022, për shkak të lidhjeve të tij me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, dhe ka qenë klient i Deutsche Bank.

Sipas gazetës Süddeutsche Zeitung (SZ), Deutsche Bank dyshohet se nuk ka paraqitur në kohë raportet për një ose më shumë kompani të lidhura me Abramovich, pavarësisht dyshimeve për pastrim parash.

Kontrollet u zhvilluan në një moment delikat për Deutsche Bank, pasi drejtori ekzekutiv i saj, Christian Sewing, pritet të shpallë të enjten fitimet më të larta të bankës në vitet e fundit. Megjithatë, drejtuesit e bankës pritet të përballen me një sërë pyetjesh “të pakëndshme” lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, aksionet e Deutsche Bank kanë shënuar tashmë një rënie prej rreth 3%.

Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që Deutsche Bank përfshihet në raste që lidhen me kontrolle të pamjaftueshme kundër pastrimit të parave dhe vonesa në raportimin e aktiviteteve të dyshimta.

Në prill të vitit 2022, hetues nga Prokuroria, Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) dhe Autoriteti Federal i Mbikëqyrjes Financiare (BaFin) kryen kontrolle në selinë qendrore të bankës në Frankfurt. Si rezultat, BaFin emëroi përkohësisht një përfaqësues të posaçëm në bankë, për të monitoruar progresin në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërmarrja publike “Rrugët e Serbisë” njoftoi më 28 janar se,…