
BE-ja bën thirrje për ‘respekt’ pasi Trumpi kërcënoi me tarifa prej 50%
Shefi i tregtisë së Bashkimit Evropian tha se blloku me 27 anëtarë është i përkushtuar për të siguruar një marrëveshje tregtare me SHBA-në bazuar në “respekt” jo në “kërcënime”.
Kjo vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi të vendos një tarifë prej 50% për të gjitha mallrat e dërguara në SHBA nga BE, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“BE-ja është plotësisht e angazhuar, e përkushtuar për të siguruar një marrëveshje që funksionon për të dyja”, tha Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Marosh Shefçoviq pas një telefonate me përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së Jamieson Greer dhe Sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick.
“Tregtia BE-SHBA është e pakrahasueshme dhe duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë, jo nga kërcënimet. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona”.
Trumpi të premten shprehu padurim me ritmin e negociatave tregtare të vazhdueshme BE-SHBA, duke thënë se plani i tij për të rritur tarifat më 1 qershor ishte vendosur.