BE-ja dhe Britania e Madhe dakordohen për vazhdimin e bisedimeve

13 dhjetor 2020 | 14:12

Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë rënë dakord për të vazhduar me bisedimet tregtare pas Brexitit, pavarësisht një afati kohor të vendosur më parë.

“Ne patëm një telefonatë të dobishme këtë mëngjes. Ne diskutuam temat kryesore të pazgjidhura”.

“Megjithë rraskapitjen pas pothuajse një viti negociatash, pavarësisht nga fakti se afatet kanë kaluar pa pushim, ne mendojmë se është përgjegjësi të vazhdojmë më tej”, është thënë në një deklaratë të përbashkët.

Ata kanë rënë dakord t’u thonë negociatorëve të vazhdojnë bisedimet në Bruksel “për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje edhe në këtë fazë të vonë”.

Negociatori i BE-së, Michel Barnier dhe ai britanik David Frost, i kanë zhvilluar bisedime të shtunën vonë dhe herët të dielën dhe do të vazhdojnë të negociojnë në Bruksel.

Në fillim të kësaj jave, Johnson dhe Von der Leyen kanë caktuar një afat për të dielën që të vendosin nëse do të braktisnin negociatat ose t’i vazhdonin ato. Më 31 dhjetor, Britania e Madhe përfundon daljen e saj nga blloku, dhe nuk do të jetë më e detyruar të ndjekë rregullat e tregtisë së BE-së.

Nëse nuk pajtohen, të dyja palët do të bëjnë biznes sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, që i bie se do të aplikojnë tarifa në importet e njëra-tjetrës. Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës është duke përgatitur skenarët për masat e…