BE-ja po tregohet neglizhente në raport me Kosovën

11 maj 2021 | 11:47

Njohësit e integrimeve evropiane kanë kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës. Ata kanë deklaruar se BE-ja po tregon neglizhencë në raport me rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Njohësi i integrimeve evropiane, Bardhyl Hasanpapaj, ka deklaruar për “Epokën e re” se BE-ja, duke u fokusuar vetëm në çështjen e dialogut me Serbinë, po e anashkalon Kosovën në fusha të tjera.

“BE-ja po tregon një neglizhencë në raport me Kosovën duke e përqendruar raportin kryesisht në çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, duke mos bërë sa duhet në fushat e tjera që do të ishin me rëndësi për qytetarët e Kosovës. Pra, Kosova ka ngelur prapa në agjendën integruese si për shkak të problemeve të brendshme, po ashtu edhe për shkak të neglizhencës së BE-së dhe shteteve anëtare në mënyrën si po e trajtojnë Kosovën”, ka thënë ai.

Hasanpapaj ka vlerësuar se kjo neglizhencë e BE-së karshi Kosovës po ka ndikim në rritjen e mosbesimit të qytetarëve të Kosovës ndaj BE-së.

“Po, në Kosovë më të drejtë ka filluar të vërehet një ndjenjë mosbesimi si ndaj institucioneve të BE-së ashtu edhe ndaj qasjes që disa vende kanë treguar në raport me Kosovën. Kosova është shumë e vogël, si popullsi, për të përbërë një shqetësim kaq të madh për BE-në në çështjen e liberalizimit të vizave! Rreziku nga një liberalizim i mundshëm i vizave për Kosovën që BE-ja tenton ta plasojë jo vetëm që është i padrejtë por, në fakt, është edhe shumë qesharak. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet, ndërkohë që BE-ja do të duhej tashmë ta përfshinte edhe Kosovën në kuadrin e shteteve që lëvizin pa viza në zonën Shengen!”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Instituti EPIK, Demush Shasha, për mosliberalizim të vizave ka fajësuar edhe institucionet e Kosovës. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se për arsye të brendshme politike Kosova ka humbur rastin e mirë për këtë proces në vitin 2016.

“Sa i përket procesit liberalizimit vizave, Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike. Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit i cili u ka kushtuar qytetarëve të Kosovës tani pothuaj pesë vjet izolim. Në vitin 2016 BE-ja i hapi derën Kosovës që të jetë pjesë e Zonës Shengen, por skena politike e Kosovës refuzoi këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetarët e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë”, ka thënë ai, duke i përmendur edhe ngecjet e Kosovës në këtë drejtim. “Ndërkohë, Kosova dështoi të ndërtojë një sistem të pavarur të drejtësisë i cili do të ishte në gjendje të shënojë progres në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Rrjedhimisht, sot jemi me një mjedis kompleks ku janë së paku katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë ai.

Shasha ka bërë me dije se pakënaqësia e liderëve të institucioneve karshi BE-së është reflektim i pakënaqësisë së qytetarëve.

“Sidoqoftë, duhet kuptuar se BE-ja ka trajtuar Kosovën të barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Pra, Kosova ka ngritur marrëdhënie kontraktuale për anëtarësim në BE. Kosova ka lansuar procesin e liberalizimit të vizave. Kosova është përfituesja e dytë më e madhe në rajon nga ndihma e BE-së për kokë banori. Po ashtu, Kosova është pjesë e çdo nisme rajonale në nivelin e barabartë me vende të tjera të rajonit. Procese të rëndësishme, sikur ai i pavarësisë energjetike, janë mundësuar falë mbështetjes së BE-së. Natyrisht duhet kuptuar se edhe BE-ja ka kufizimet e veta për të ndërvepruar me Kosovën duke pasur parasysh mosnjohjen nga pesë vende të BE-së”, ka thënë Shala.

Liderët institucionalë kërkojnë që Evropa t’i hapë dyert për Kosovën

Krerët shtetërorë në Kosovë, në Ditën e Evropës, kanë bërë thirrje për liberalizim të vizave. Ata kanë vlerësuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për këtë proces dhe se BE-ja po vonohet në këtë drejtim. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova është një vend paqedashës dhe me orientim proevropian. “Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova, ndërkaq, duhet t’i bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm”, ka deklaruar ajo.

Thirrje të njëjtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës ka bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. “Edhe pas kaq vjetësh Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane dhe kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv për qytetarët e shtetit tonë. Sepse Dita e Evropës e gjënë Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt. Përveçse diskriminim dhe padrejtësi e madhe, kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij”, ka shkruar Konjufca në profilin e tij në “Facebook”.

Ndërsa kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se qeveria aktuale e ka lëkundur besimin e qytetarëve të Kosovës në BE. “Edhe 9 maji i vitit 2021, Dita e Evropës, e gjënë Kosovën pa liberalizim të vizave, pa status të kandidatit dhe, fatkeqësisht, pa rrugë të qartë për të ardhmen evropiane. Qeveria e sotme, opozita e dikurshme, ka lëkundur besimin e qytetarëve të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ka dëmtuar shumë herë progresin e arritur. Po ashtu, edhe vetë BE-ja është vonuar për përmbushjen e premtimeve dhe obligimeve karshi qytetarëve të Kosovës, posaçërisht për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e vet në “Facebook”.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit që ka pasur në fund…