BE-ja vendos sanksione të reja kundër Rusisë

23 shkurt 2024 | 15:54

Bashkimi Evropian (BE) ka prezantuar paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, një ditë para përvjetorit të dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

“Sot, ne po ashpërsojmë edhe më shumë masat kufizuese kundër ushtrisë së Rusisë dhe sektorit të mbrojtjes. Ne vazhdojmë të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të goditur makinerinë e luftës së Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën që të fitojë luftën e saj legjitime për vetëmbrojtje”, ka thënë shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, përmes një deklarate për medie

Paketa e 13-të e sanksioneve e bllokut evropian, që lidhet me pushtimin rus të Ukrainës, shënjestron industrinë e mbrojtjes së Rusisë. Sanksionet po ashtu përfshijnë ngrirje të aseteve dhe kufizime të lëvizjes për 106 individë dhe 88 organizata, duke bërë që numri i përgjithshëm i njerëzve dhe grupeve të sanksionuara nga blloku të arrijë në 2 000. BE-ja ka theksuar se ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe organizatave për shkak të “minimit apo kërcënimit të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”.

Në listën e të sanksionuarve janë përfshirë dhjetëra zyrtarë rusë, përfshirë “anëtarë të gjyqësorit, politikanë lokalë dhe persona përgjegjës për dëbimin e paligjshëm dhe riedukimin ushtarak të fëmijëve ukrainas”, është thënë në njoftim, raporton “Rel”.

BE-ja po ashtu ka vendosur kufizime ndaj kompanive nga Serbia, India, Shri Lanka, Kina, Kazakistani, Tajvanda dhe Turqia, nën dyshimet se kanë eksportuar produkte në Rusi, që kanë përdorim të dyfishtë, dhe për “mbështetjen e ushtrisë ruse”.

Kufizimet po ashtu janë zgjeruar edhe ndaj komponentëve që përdoren për zhvillimin dhe prodhimin e dronëve.

Emrat e kompanive do të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së brenda disa ditësh.

Në përgjigje të lëvizjes së BE-së, Ministria e Jashtme e Rusisë, ka njoftuar më 23 shkurt se do të zgjeronte në mënyrë drastike listën e politikanëve dhe zyrtarëve të bllokut të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi.

“BE-ja po vazhdon përpjekjet e saj të kota për t’i bërë presion Rusisë përmes masave kufizuese të njëanshme”, ka thënë Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar Nagip Skenderi i është bashkuar sot AAK-së. Lajmin…