BE reagon pasi Kurti shpalosi planet për dy ura të reja mbi lumin Ibër

20 qershor 2025 | 17:27

Bashkimi Europian as s’është në dijeni as s’është i përfshirë në projektin për ndërtim të dy urave mbi lumin Ibër paralelisht me atë kryesore. Kështu ka thënë një zëdhënës i Bashkimit Europian për Express për projektin që po e shtyn përpara Qeveria në detyrë e Albin Kurtit.

Bashkimi Europian thotë se çdo vendim për ndërtim lidhur me këtë urë duhet të bëhet me kujdes dhe duke përfshirë komunitetet.

“BE-ja as nuk është në dijeni dhe as e përfshirë në këtë projekt. Çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse duke përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet e prekura”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka publikuar një fotografi të projektit që synojnë ta jetësojnë ku shihen dy ura që do të lidhnin jugun me shumicë shqiptare e veriun me shumicë serbe.

Kjo lëvizje erdhi pak ditë pas themelimit të bordit të përbashkët të Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut.

“Memorandumi i Bashkëpunimit mes MMPHI-së dhe komunës së Mitrovicës së veriut nisi me projektin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër që lidhin jugun dhe veriun e Mitrovicës. Ky projekt do të lehtësoj qarkullimin e qytetarëve dhe do të shërbejnë si infrastrukturë për komunikim, integrim dhe zhvillim ndërmjet dy pjesëve të qytetit. Kjo u theksua gjatë takimit të nënshkrimit ndërmjet ministrit Liburn Aliu dhe kryetarit Erden Atiq, ku morën pjesë edhe ministri Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri Hysen Durmishi”.

Ndërtimi i këtyre dy urave u pa si përpjekje nga ana e Qeverisë së Kurtit për të zëvendësuar planin e dështuar për hapje të Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve, e cila s’u përkrah nga bashkësia ndërkombëtare.

Verën e vitit të kaluar në Urën e Ibrit nisën procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve dhe atje u dërguan kamionë me pesha të rënda.

Për hapjen e Urës së Ibrit, ndërkombëtarët kërkuan që ajo të diskutohet në tavolinën e dialogut dhe po të njëjtin qëndrim kishte mbajtur edhe KFOR, i cili është i vendosur në këtë urë.

Megjithatë, këto përpjekje përfunduan pa ndonjë rezultat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka komentuar një deklaratë të…