Begaj dekreton Reformën Territoriale, në zgjedhje do të votohet në 46 bashki

02 nëntor 2026 | 11:07

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar më 31 tetor reformën e re territoriale.

Me dekretimin e ligjit, qytetarët do të votojnë në zgjedhjet vendore në 46 bashki të vendit.

“Në mbështetje të nenit 84, pika 1, dhe nenit 93 të Kushtetutës, DEKRETOJ: Shpalljen e ligjit nr. 100/2026, ‘Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë’”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Në një seancë maratonë të mbajtur më 9 tetor, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar, me 85 vota pro të shumicës dhe 34 kundër të opozitës, ndarjen e re administrativo-territoriale, e cila parashikon organizimin e territorit në 46 bashki dhe 77 qytete përbërëse.

Kundërshtimi i opozitës ndaj propozimit të shumicës për shkrirjen e 15 bashkive ekzistuese dhe bashkimin e tyre me njësi më të mëdha vendore është shoqëruar me debate të ashpra dhe tensione.

Deputetët demokratë kanë hedhur sende dhe ujë në drejtim të kryeministrit dhe përfaqësuesve të mazhorancës, të cilët, pavarësisht kritikave nga foltorja, e kanë mbështetur projektligjin me votë.

Gjatë diskutimeve 14-orëshe dhe procesit të votimit, opozita e ka kundërshtuar ndarjen e re, duke propozuar mbajtjen e një referendumi.

Ndërkaq, socialistët i kanë ftuar sërish demokratët në tryezë për të ringritur komisionin e posaçëm për reformën territoriale dhe për të diskutuar funksionet që do të kenë bashkitë e reja.

Demokratët këmbëngulin se reforma është bërë për efekt elektoral.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Vlera Buja nga Prishtina shpall të pavlefshme diplomën e leshuar…