Bëhen homazhe për ish-luftëtarin e UÇK-së Qerim Kelmendi

29 shkurt 2020 | 14:53

Në qendër të qytetit të Pejës u bën homazhe për Qerim Kelmendin, ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili u vra mëngjesin e së enjtes.

Nën organizimin e OVL-UÇK në Dukagjin, qytetarë e ish-bashkëluftëtarë të Kelmendit, deputetë e kryetarë komunash u përkulen pranë trupit të pajetë të tij.

Ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:00 në kompleksin memorial në Gllogjan.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, ish-luftëtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi nga fshati Llabjan i Pejës, është gjetur i vdekur brenda veturës së tij e cila ishte djegur.

Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë ka njoftuar se në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për t’i sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’.

Për vrasjen e Qerim Kelmendit kanë reaguar përfaqësuesit e institucioneve të vendit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti, liderë partish, kryetarë komunash, OVLUÇK-ja dhe bashkëluftëtarë të Qerim Kelmendit, duke e cilësuar këtë vrasje mizore.

Ata u kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt ta zbardhin këtë rast.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra e Lëvizjes në Prishtinë ka mbajtur konferencë për medie…