Bekaj: Një herë titullin, pastaj Evropën

10 dhjetor 2017 | 11:38

Portieri Visar Bekaj ka bërë me dije për “Epokën e re” se synon ta fitojë vitin që vjen titull me Prishtinën dhe më pas të transferohet në një kampionat më të fortë. “Kontrata ime me Prishtinën është e vlefshme deri në muajin qershor, por me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Fillimisht dua ta fitoj titullin me Prishtinën, pastaj shpresoj që sa më shpejt ta vazhdoj karrierën në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Bekaj.

Portieri Visar Bekaj ka shkëlqyer me fanellën e Prishtinës në edicionin vjeshtor, por edhe me Përfaqësuesen e Kosovës U21. Ai ka thënë për “Epokën e re” se synimi i tij është fillimisht titulli i kampionit e më pas transferimi në një klub jashtë Kosovës.

“Kontrata ime me Prishtinën është e vlefshme deri në muajin qershor, por me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Fillimisht dua ta fitoj titullin me Prishtinën, pastaj shpresoj që sa më shpejt ta vazhdoj karrierën në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Bekaj.

Numri një në portën e skuadrës “bardhekaltër” më pas i ka bërë një analizë sezonit vjeshtor me skuadrën e Prishtinës në Vala Superligën e Kosovës në futboll, duke e vlerësuar si një sezonin mjaftë të mirë.

“Sezoni vjeshtor, për mendimin tim, ka shkuar shumë mirë edhe përkundër mungesës së stadiumit ku çdo lojë kemi luajtur si mysafirë, por kemi arritur të dalim nënkampionë me vetëm dy pikë pas skuadrës lidere. Ndërsa kemi kaluar edhe në rrethin e katërt të Kupës së Kosovës, ku edhe në këtë garë kemi ambicie të mëdha. Po ashtu, jam i kënaqur edhe me paraqitjet personale”, ka deklaruar Bekaj.

Portieri i përfaqësueses ka shprehur në fund besimin se Prishtina do ta dalë kampione për edicionin 2017-2018, kurse ai nuk ka jep ndonjë emër konkret për ndonjë skuadër që mund ta ndjekë titullin së bashku me Prishtinën.

“Jam i bindur që në fund të kampionatit Prishtina do të dalë kampione. Konkurrent për këtë edicion nuk mund të dalloj ndonjë ekip, sepse diferenca e pikëve në mes të shumë skuadrave është shumë e vogël. Prandaj konkurrente janë shumë skuadra dhe kjo e ka bërë kampionatin edhe më interesant”, ka përfunduar Bekaj.

FC Prishtina sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e dytë me 32 pikë, ku nga 18 ndeshje arriti të fitojë në nëntë prej tyre, kurse pesë herë luajti baras dhe pësoi katër humbje.

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me shumë gjasa Unay Emery nuk do të qëndrojë gjatë…