Bekim Haxhiu: Kosova e kaloi me sukses testin e ndeshjeve miqësore para pranimit në UEFA dhe FIFA

30 mars 2026 | 22:31

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, ka folur rreth rrugëtimit të futbollit të Kosovës drejt ndërkombëtarizimit, duke theksuar sfidat dhe përkushtimin që ka shoqëruar këtë proces ndër vite.

Haxhiu tha se besimi për sukses ka ekzistuar edhe në kohët kur Kosova nuk ishte pranuar ende në UEFA dhe FIFA, ndonëse shumë të tjerë ishin të dëshpëruar nga kjo situatë.

Ai theksoi se fillimisht ishte e domosdoshme që Kosova të zhvillonte ndeshje miqësore, si hap i parë drejt ndërtimit të rrugëtimit ndërkombëtar, duke shtuar se kjo periudhë ka qenë vendimtare për përgatitjen e vendit në disa drejtime.

Sipas Haxhiut, viti 2014, kur FIFA lejoi zhvillimin e ndeshjeve miqësore, ka shërbyer si një test i rëndësishëm për Kosovën, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në organizimin e ndeshjeve, disiplinën dhe sjelljen e tifozëve.

“Ka qenë test edhe në organizimin e ndeshjeve, edhe në disiplinë, edhe te shikuesit dhe ne i kemi kaluar me sukses,” tha Haxhiu në Politiko.

Haxhiu shtoi se përkundër barrierave statutare që ekzistonin në UEFA, Kosova arriti të sigurojë pranimin në vitin 2016, e më pas edhe në FIFA, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh për sportin kosovar.

Ai përfundoi se rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë, por përkushtimi dhe besimi i vazhdueshëm kanë bërë që Kosova sot të jetë pjesë e arenës ndërkombëtare të futbollit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nasim Haradinaj tha se Shkëlzen Gashit nuk i “ikë kurgjë…