
Bekim Jashari: Masakra e Rezallës, dëshmi e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë
Në 22-vjetorin e masakrës së Rezallës, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, asamblistë, doktorin e mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, familjarë të dëshmorëve dhe martirëve, kanë bërë homazhe dhe vendosën lule tek 98 të rënët, në Kompleksi Memorial të varrezave në fshatin Rezallë.
Me këtë rast, Jashari ka deklaruar se Masakra e Rezallës është shembull i sakrificës dhe dëshmi se pa sakrificë e gjak nuk ka liri.
“Masakra e Rezallës po ashtu është dëshmi e krimeve dhe gjenocidit që kriminelet serb bënë në Kosovë, duke mos kursyer askënd që fliste shqip e që mbronte pragun e shtëpisë. Fatkeqësisht familjarët e disa prej martirëve të rënë në masakrën e Rezallës përpos dhimbjes për humbjen e më të dashurve të tyre, ata kanë jetuar tash e 22 vite duke pritur gjetjen e trupave të martirëve të kësaj masakre”, ka thënë Jashari, duke shtuar se në vazhdimësi si kryetar komune, është duke u angazhuar në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Gjatë homazheve në këtë kompleks, në nderim të të rënëve kryetari Jashari shoqëroi edhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.