Belegu: Liga Unike risi në basketboll, shpresoj në cilësi dhe rivalitet

25 shtator 2020 | 12:04

Ish-gjyqtari i njohur i Kosovës, Mithat Belegu, ka folur për formimin e Ligës Unike mes Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës së Basketbollit të Shqipërisë.

Belegu ka dhënë kontribut të madh në basketbollin e Kosovës, duke qenë basketbollist shumë i dalluar, gjyqtar me thirrje ndërkombëtare e vëzhgues për shumë vite. Ai e komenton në këtë mënyrë krijimin e Ligës Unike.

“Çdo risi për basketbollin e Kosovës është e mirëseardhur. Më herët nuk është menduar krijimi i kësaj lige për shkak se Kosova nuk ka qenë e pranuar në FIBA apo pengesave të ndryshme. Megjithatë, tashmë Liga Unike është formuar dhe do të shohim se si do të funksionojë”, është shprehur Belegu për faqen zyrtare të FBK-së.

Ish-gjyqtari i njohur shpreson se nuk do të ketë pengesa për zhvillimin e kësaj lige. “E vetmja pengesë mund të jetë pandemia, që shpresoj se nuk do të pengoj. Skuadrat duhet të përgatiten për këtë ligë. Të zhvillojnë stërvitjet siç duhet, ndeshjet miqësore dhe më pas ndeshjet zyrtare. Gjithashtu, shpresoj se lojtarët vendorë do të kenë më shumë hapësirë, sidomos basketbollistët e rinj. Jo të gjithë basketbollistët e huaj kanë qenë shumë cilësorë, andaj mund t’u jepet rasti të rinjve”, nënvizoi Belegu, duke shtuar: “Shpresojmë se do të ketë cilësi dhe rivalitet e të rritet interesimi për basketboll si në Kosovë, po ashtu në Shqipëri. E theksoj edhe një herë se është një risi në basketboll dhe të shpresojmë se do të ngrehen cilësia dhe interesimi në të dyja vendet”, u shpreh Belegu, i cili ishte basketbollisti më i mirë i Kosovës në vitet ’60.

Ishte tri herë shënuesi më i mirë në Ligën e Dytë të Ish-Jugosllavisë dhe më pas u bë gjyqtar, kurse në vitin 1978 u bë gjyqtar ndërkombëtar i FIBA-s. Në Ligën Unike do të marrin pjesë katër skuadrat më të mira nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare…