Beqiraj: Politika t’i heqë duart nga sporti, Kosova me të ardhme të ndritur

08 qershor 2019 | 00:24

Sulmuesi Fatos Beqiraj që udhëheqi Malin e Zi ndaj Kosovës ka thënë se Kosova ka një të ardhme të ndritur përpara.

Në një prononcim për KTV-në ai ka kërkuar që politika të jetë jashtë sportit, derisa ka zbuluar se edhe ai vet ishte fyer nga disa kosovarë.

Beqiraj ka thënë se nuk kishte dashur që shorti t’ia sillte si kundërshtar Kosovën.

“Kur është hedhur shorti kam pasur vetëm një dëshirë, që të mos takohesha me Kosovën, por fati deshti ashtu dhe jam përgatitur dhe kam vendosur që këtë ndeshje ta shoh vetëm nga sportive”, ka thënë Beqiraj.

Ai ka komentuar edhe ndërhyrjen e politikës në futboll, pas kërcënimeve që kishin marrë trajner i Malit të Zi dhe futbollistë serbë që përfaqësojnë këtë kombëtare.

“Sot ka qenë një ditë shumë e vështirë për kombëtaren e Malit të Zi. Kanë ndodhë disa gjëra që për mendimin tim nuk duhet të ndodhin në sport. Sporti besoj që nuk ka as kufi, dhe herdokurdo politika duhet të hiqet nga sporti. Trajneri ka pasur presione të larta nga Beogradi dhe kanë vendosur të mos jenë pjesë e kombëtares”, ka thënë Beqiraj.

Ai thotë se ka pasur disa ofendime ndaj tij, por që i ka injoruar.

“Unë s’kam pas asnjë presion. Kam pasur disa mesazhe nga njerëzit nga Kosova, që për mendimin tim nuk e dinë se si kam ardhur deri këtu, por nuk i kam marrë shumë serioze. Kam pasur disa fyerje e sharje, por që s’kanë ndonjë rëndësi”, ka deklaruar Beqiraj për KTV.

Beqiraj thotë se Kosovën e pret një e ardhme e ndritur në futboll.

“I uroj Kosovës shumë suksese në ndeshjet e ardhshme, pasi ka një ekip shumë të mirë, me lojtarë të ri dhe me një të ardhme shumë të ndritur. Nëse jo në këto kualifikime në ato të ardhmet do të ketë rezultate edhe më të mira. Për një kohë shumë të shkurtë e ka bërë një kombëtare shumë të mirë”, ka deklaruar ai.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori Hamdi Namani është larguar nga skuadra e Llapit, por…