Beqiri ‘selam’ Feronikelit: Nuk duam humbje në Drenas

12 mars 2019 | 18:03

Arben Beqiri për “Epokën e re” ka konfirmuar se Trepça ’89 nuk ka fikë nga Feronikeli dhe se në Drenas shkon për të marrë pikë.

KF Feronikeli është lider në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, kurse në kuadër të javës së 23-të do të takohet me Trepçën ’89 në stadiumin “Rexhep Rexhepi”. Për t’i arritur pikët e plota skuadrës së “Niklit” dhe për ta vazhduar garën për titull i duhet t’i djersitet shumë, pasi portieri i 89-shit, Arben Beqiri, të hënën ka thënë se synimi i skuadrës nga Mitrovica është të marrë rezultat pozitiv në Drenas. Ai e ka lavdëruar skuadrën lidere, por beson se skuadra e tij mund të dalë e pamposhtur nga kjo ndeshje që pritet të jetë shumë interesante për faktin se vendësit kërkojnë pikët e titullit e mysafirët pikët e mbijetesës. “Na pret një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari që po gëzon formë të lartë dhe po lufton për titull, por edhe ne kemi objektivin tonë dhe nuk do të shkojmë të dorëzuar. Synimi ynë është rezultati pozitiv dhe besoj se me angazhim maksimal mund t’ia arrijmë këtij qëllimi”, ka thënë Beqiri për “Epokën e re”.

Portieri Beqiri kohë më parë kishte paralajmëruar se ambiciet e Trepçës ’89 janë në garën e Kupës, ku edhe arriti ta befasojë Prishtinën favorite, duke e eliminuar nga kjo garë. Mirëpo kjo skuadër nuk ka treguar stabilitet të madh në ndeshjet kampionale ku me pikët që ka duhet të luajë në ndeshjet e barazhit, por synim i skuadrës nga “Riza Lushta” është mbetja në elitë dhe besimi është i madh që nuk do të ketë nevojë të luajë në barazh.

“Nuk besoj se Trepça ’89 do të ketë telashe për mbijetesë, duke pasur parasysh seriozitetin e klubit dhe organizimin që e ka ndër vite”, ka shtuar Beqiri. Trepça ’89 aktualisht është e shtata në elitë me 28 pikë, kurse në gjysmëfinale të Kupës do të takohet me skuadrën e Vëllaznimit më 17 prill në Gjakovë, kurse ndeshjen e kthimit e zhvillon dy javë më vonë në Mitrovicë.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës ka shqyrtuar…