Berati, turistë në çdo stinë, mbi 370 mijë nga janari deri në maj

06 korrik 2025 | 08:24

Berati mbetet tërheqës për vizitorët e huaj dhe ata vendas, jo vetëm për bukuritë historike, por edhe për ofertat e pasura të agroturizmit dhe përvojat autentike që ofron.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-maj 2025 qyteti ka pritur rreth 370 mijë turistë, një rritje e dukshme prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Sipas saj, shifrat e turistëve nuk janë të vetmet që reflektojnë rritje.

“Netqëndrimet gjithashtu janë në rritje, aktivitetet ku turistët përfshihen janë në rritje. Përveç vizitave në monumentet historike, apo turizmit të aventurës, turistët mund të marrin pjesë në degustime vere, ekspozita artizanale dhe ngjarje folklorike që sjellin në jetë traditat e pasura të rajonit”, theksoi Merdani.

Merdani u shpreh se “bashkia e Beratit po organizon një sërë aktivitetesh, të cilat, si çdo vit, ndikojnë në rritjen e fluksit të vizitorëve”.

“Më e bukura është se në Berat nuk ka më nisje dhe as mbyllje të sezonit. Turistët e zgjedhin në çdo ditë të vitit, se kurdoherë ka shumë për të ofruar. Ndër atraksionet më të vizituara vijojnë të jenë Kalaja, lagjet muzeale “Goricë” dhe “Mangalem”, ndërsa në qark më të vizituarat janë Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik etj.”, shtoi Merdani.

Arkitektura interesante e Beratit dhe trashëgimia që mbart e bëjnë këtë qytet vërtetë të rrallë dhe ndër më të vizituarit në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike ka bërë apel për kujdes…