
Berisha: Aktgjykimi nuk imponon zgjidhje politike, ai lë përgjegjësinë te partitë për ta realizuar detyrimin kushtetues
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk imponon zgjidhje politike, ai e lë përgjegjësinë te partitë për ta realizuar detyrimin kushtetues.
“Ky aktgjykim është urdhër, jo kërkesë. Është detyrim kushtetues, jo kompromis politik.
Moszbatimi i tij është shkelje kushtetuese, jo taktikë opozitare. Deputetët që e sabotojnë ose e bojkotojnë procesin e konstituimit të Kuvendit, bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me betimin kushtetues që kanë dhënë. Sjellje të tilla përbëjnë shkelje të parimeve themelore të rendit kushtetues dhe ekspozojnë deputetët përkatës ndaj ndëshkimeve të mundshme etike dhe politike. Ndërkohë që presioni publik dhe vlerësimi qytetar për mosrespektimin e betimit kushtetues mbetet gjithashtu një formë legjitime e ndëshkimit politik”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka dhënë një aktgjykim të detyrueshëm, jo një opinion.
“Ky vendim nuk mund të anashkalohet, relativizohet apo modifikohet përmes procedurave të brendshme politike. Nëse aktgjykimi injorohet, pasojat janë institucionale, kushtetuese dhe ndërkombëtare – duke e zhytur Kosovën në një gjendje të pashembullt të bllokadës politike dhe krizës së legjitimitetit. Moszbatimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese perceptohet si kapje e shtetit, dhe mund të sjellë reagim të drejtpërdrejtë nga BE, SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët presin funksionim institucional mbi baza ligjore”, ka shkruar ai.
Ish-deputeti Berisha ka thënë se kriza e legjitimitetit institucional thellohet, pasi Kuvendi de facto nuk përfaqëson më vullnetin funksional të qytetarëve, duke rrezikuar jo vetëm sistemin politik, por edhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës, si shtet që pretendon të respektojë parimet e sundimit të ligjit.