Berisha: Nuk duam lëmoshë, komuniteti egjiptasë duhet të jetë i punësuar

25 qershor 2019 | 22:25

Në shënimin e javës së komunitetit egjiptasë, përfaqësues të këtij komuniteti po kërkojnë nga institucionet që t`u jepet hapësirë, në mënyrë që edhe këta të fundit të jenë përfaqësues në institucione, për çka thonë se nuk duan lëmoshë.

Gjatë shënimit të javës egjiptase në Gjakovë, deputeti Veton Berisha tha se është personi më i lumtur në botë që, siç tha ai, përfaqëson një komunitet të përgjegjshëm, lojal, shumë punëtor, e të përgjegjshëm edhe në detyrat dhe përgjegjësitë që ka ndaj shoqërisë dhe shtetit.

“Ne kemi për obligim të mbajmë lidhje me shtetin, të mbajmë përgjegjësi kudo që ne jetojmë dhe veprojmë. Ne jemi të Kosovës, shteti ynë është Kosova. Ne kemi përgjegjësi të jetojmë dhe veprojmë këtu. Ne kemi përgjegjësi që komunitetit egjiptasë t’i kushtojmë kujdes, përkushtim. Kemi nevojë që komunitetin egjiptasë ta kemi të punësuar, ta kemi në shkollë, ta kemi në detyra të cilat vërtetë i kërkon shteti. Jam shumë i interesuar që komunitetin egjiptasë ta shohë në detyra shtetërore, ta shoh në Polici, në Ushtrinë e Kosovës, dhe gjithandej ku ne mundemi të kontribuojmë. Nuk na mjafton lëmosha, nuk na mjafton dhënia e të mirave të gatshme, ne jemi punëtor, na jepni mundësi zotëri kryeministër, sepse ne do t’i fitojmë vet”, ka thënë Berisha.

Kërkesë të njëjtë kishte edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Artan Berisha, i cili tha se komuniteti egjiptasë është i pasur, i drejtë e i arsimuar.

Në shënimin e ditës së egjiptasëve në Gjakovë, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas të cilit, Kosova po bëhet lider i respektimit të të drejtave të komuniteteve.

“Unë jam rritur në familje që na ka mësuar babai, na ka mësuar familja që të respektojmë tjetrin, me i respektu komunitetet edhe po më vjen shumë mirë që Kosova po bëhet lidere në rajon në respektimin e të drejtave të komuniteteve. Sot jemi mbledhur t’i shënojmë disa suksese, nuk ka shumë, por suksesi më i mirë është vet kjo ditë, pra 24 qershori, ashtu siç e tha Vetoni, kemi ende shumë punë”, tha ai.

Ditën nacionale të egjiptasve të gjithë të pranishmëve u ka uruar edhe i pari Gjakovës, Ardian Gjini. Sipas tij, komuniteti egjiptasë po ngritët dita ditës.

“Ajo që sot shohim se çfarë bën liria e Kosovës, ajo çfarë bën demokracia dhe çfarë bëmë diçka interesant, sot në Gjakovë shohim pjesëtarë të komuniteteve pakicë që janë inxhinier, arkitektë, mësues e juristë. Që do të thotë që komuniteti po ngritët në nivel tjetër, që të mos ketë nevojë dikujt me i dhënë diçka, për me qenë zot të vetvetes, dhe do të ngritët edhe më tej”, tha Gjini.

Ministrja e Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ardiana Hoxhiq tha se sot është një ditë e rëndësishme jo vetëm për këtë komunitet por për të gjithë të tjerët, që sot të dërgohet një mesazh, në mënyrë që komunitetit egjiptasë t’i kushtohet rëndësi, edhe për përmirësimin e kushteve.

Kujtojmë se me vendim të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, 24 qershori është shpallur, Dita Nacionale e Komunitetit Egjiptian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri britanik i mbrojtjes, Mark Lancaster, ka deklaruar se Britania…