Berisha: Pensionistët vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta

01 tetor 2018 | 15:05

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, u tha se kjo ditë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimin për çështjet që prekin të moshuarit, vlerësimin e kontributit të të moshuarve në shoqërinë tonë, si dhe për të dëshmuar respektin ndaj tyre.

“Në kuadër të angazhimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nëpërmjet Qendrës mbi Moshimin për promovimin e shëndetit dhe të mirëqenies së popullatës së moshuar, ne sot në mënyrë simbolike po e bëjmë edhe prezantimin e broshurës ‘Moshimi dhe Shëndeti’, që konsiderojmë të jetë e dobishme për shfrytëzim nga politikbërësit, profesionistët shëndetësor, punëtorët social, aktivistët e shoqërisë civile, si dhe nga vetë të moshuarit në suaza të përpjekjeve për të ngritur nivelin e vetëdijes dhe shprehive për të pasur një jetë sa më të shëndetshme”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, prof. Naser Ramadani.

Mes të tjerash, ai ka njoftuar se nëpërmjet Institutit Kombëtar ka filluar shpërndarja e vaksinave kundër gripit sezonal, në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, njësitë e vaksinimit, dhe në të gjitha komunat e Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje grupeve më të rrezikuara siç janë të sëmurët kronikë dhe të moshuarit që t’i shfrytëzojnë vaksinat për mbrojtje kundër gripit sezonal.

Zëvendësministër i Shëndetësisë, Granit Abdullahu, ka thënë se Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar duhet të shërbejë për të mundësuar dhe përhapur kontributet e të moshuarve, në familje, komunitete dhe në të gjithë shoqërinë.

Sabrije Nimani nga organizata joqeveritare e Grave Pensioniste “Vita-Jeta”, ka thënë se kjo shoqatë e cila ka mbi 1 000 gra anëtare të saj, ballafaqohet me probleme të mëdha për të mbijetuar me pensionin e ulët, që marrin ato.

Ajo u shpreh se shtimi i pagave që ishte bërë nga Qeveria para disa kohësh, nuk i kishte përfshirë pensionet, e sidomos ato më të ulëtat që marrin anëtarët e kësaj kategorie.

Nimani ka paraqitur kërkesën e shoqatave dhe të sindikatës të pensionistëve, që në bisedimet me Serbinë të kërkohet të kthehen mjetet financiare të pensioneve të Kosovës të rrëmbyera nga Serbia, në kohën e sundimit të Millosheviqit, me të cilat do të mund të ndihmohej edhe kjo kategori shoqërore.

Hasan Berisha, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve ka thënë se pensionistët vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta.

Ai ka thënë se një nga problemet është pensioni i ulët që ata marrin, medikamentet e shtrenjta, si dhe mungesa e mjeteve financiare për të strehuar personat e moshuar, të cilët nuk kanë familje.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
‘Wall Street Journal’ njoftoi se Arabia Saudite ka shtyrë planin…