Berisha vizitë në një familje të prekur nga tërmeti: Kjo qeveri e pashpirt ka shpërdoruar 1 miliard euro
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka zhvilluar një vizitë në Bubq të Fushë Krujës, në nëj familje që iu shemb banesa nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Ashtu siç duket nga pamjet, kryefamiljari dhe pjesëtarët e tjerë të familjes jetojnë në dy çadra.
Në vizitën e tij në këtë familje, kryedemokrati iu ka premtuar se do të bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar teksa ka hedhur akuza ndaj qeverisë, e cila sipas Berishës fondet që i ka marrë nga BE dhe donatorët i ka shpërdoruar dhe përvetësuar.
“Do të bëjmë gjithçka për të ju ndihmuar. Natyrisht, ndihmën më të madhe e japim pasi të heqim qafe këtë qeveri të pashpirtë, e cila ka marrë nga Europa dhe donatorët mbi 1 miliardë Euro, por i kanë shpërdoruar dhe përvetësuar, i kanë shpërndarë sipas qejfit dhe jo sipas nevojës. Urdhëro, ku është nevoja këtu. Në një kohë kur mundësitë kanë qenë të plota për të rindërtuar çdo banesë të dëmtuar sepse BE i dha fondet, vendet mike i ndihmuan shqiptarët, por këta u vërsulën si të pangopur në shpërdorimin, në abuzimin, në shpërdorimin, blerjen e votave”, ka thënë Berisha.



