BERZH-i, BE-ja dhe Raiffeisen rrisin mbështetjen për lizing financiar më të gjelbër

29 qershor 2022 | 11:19

Me kredinë prej 10 milionë eurosh, NVM-ve do t’u ofrohet lizing financiar për gjeneratorë solarë të energjisë elektrike dhe automjete elektrike.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka siguruar një kredi prej 10 milionë eurosh për Raiffeisen Leasing Kosovë (RLK), një nga institucionet kryesuese në fushën e lizingut financiar në Kosovë.

Financimi, i cili përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) me grante dhe asistencë teknike, do t’i ndihmojë RLK-së që si pjesë e shërbimeve të veta të lizingut financiar t’u ofrojë ndërmarrësve lokalë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) financim për gjeneratorë të vegjël solarë të energjisë elektrike dhe automjete elektrike.

Një pjesë e paketës financiare (3 milionë euro) ofrohet në kuadër të Programit të BERZH-it për konkurrueshmërinë e NVM-ve, i cili u ndihmon NVM-ve të arrijnë pajtueshmërinë me standardet e BE-së, veçanërisht në lidhje me cilësinë e mallrave dhe shërbimeve, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve.

Në kuadër të këtij programi, NVM-të mund të marrin edhe asistencë teknike, duke përfshirë mbështetje këshillimore nga BERZH-i. Pas përfundimit të suksesshëm të investimit të tyre, NVM-të do të kualifikohen për grantin për rikthim në para të gatshme të 15 për qind të shumës totale të kredisë. Të dyja këto shërbime do të financohen nga BE-ja.

7 milionë eurot e mbetura do t’i lejojnë RLK-së t’u ndihmojë më shumë firmave lokale me shërbimet e veta të lizingut financiar. Këto mjete do të mbështesin edhe ndërmarrjet më të vogla që të investojnë në strategji apo produkte inovative.

Neil Taylor, Shefi i BERZH-it në Kosovë, tha: “Jam i kënaqur që me fondet e BERZH-it do të mbështesim lizingun financiar për automjete elektrike dhe makineri inovative në Kosovë, në përputhje me strategjinë tonë të gjelbër dhe draft strategjinë e re të Kosovës për energjinë. Lizingu financiar mund të jetë alternativë atraktive ndaj kreditimit bankar, dhe do të dëshironim që të përdorej më shumë në vend.”

“Kontributi për zhvillimin e NVM-ve në Kosovë dhe ndihma që ato të kenë mundësi për qasje në financa dhe mbështetje këshillimore mbetet një nga prioritetet e BE-së në Kosovë,” tha Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog. “Përveç dhjetë milion euro kredi nga BERZH-i, BE do të ofrojë më shumë se €500,000 për grante investive dhe asistencë teknike ndërmarrësve lokal në kuadër të programit të përbashkët BE-BERZH për mbështetjen e NVM-ve. Kjo do të ndihmojë në fuqizimin e mëtejmë të konkurrueshmërisë në tregjet rajonale e ndërkombëtare, dhe do të rris tutje zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe punësimin në Kosovë. BE mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. Nga 2007 deri në 2020, BE ka shpërndarë EUR 1.21 miliardë në kuadër të fondeve për asistencë (IPA I dhe IPA II). Kosova gjithashtu merr përkrahje të konsiderueshme nga fondet rajonale IPA.”

Gjon Gjonlleshaj, Drejtori Ekzekutiv i RLK tha: “Jemi shumë të lumtur që po e thellojmë bashkëpunimin me BERZH. Fondet e siguruara do të jenë vlerë e shtuar për klientët tanë në Kosovë të cilët gradualisht po fillojnë të blejnë automjete elektrike dhe pajisje të tjera që përmbushin kriteret për qëndrueshmëri mjedisore dhe të gjelbër. Përveç kësaj iniciative, ne synojmë të shtojmë bashkëpunimin me BERZH-in në kuadër të planeve tona të qëndrueshme e të suksesshme për t’u ofruar financim për ekonominë e gjelbër dhe zhvillimin e biznesit klientëve tanë të çmuar të Lizingut.”

RLK-ja, e cila u bë kliente e BERZH-it në dhjetor 2017, është institucioni kryesues në fushën e lizingut financiar në Kosovë. RLK-ja është në pronësi të Raiffeisen Bank në Kosovë, e cila është degë e Raiffeisen Bank International. RLK-ja operon si institucion financiar jobankar dhe ofron lizing financiar për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe për individë privatë.

Përfshirë këtë financim, që nga fillimi i operacioneve të veta në Kosovë në vitin 2012, BERZH-i ka investuar 627 milionë euro për 90 projekte. Prioritetet strategjike të Bankës në Kosovë janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, mbështetja e zhvillimit konkurrues të sektorit privat, si dhe nxitja e integrimit rajonal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Humbja e peshës është shpesh një proces i vështirë, por…