Besa Ismaili-Ahmeti i reagon Konjufcës: Nuk mund të kërkosh votat e grave dhe të përdorësh gjuhë që ulë gratë
Kandidatja për deputete nga PDK-ja me numër 60, Besa Ismaili-Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës, duke i cilësuar ato si përbuzje klasore, seksizëm dhe pasqyrë të një kulture politike toksike.
Përmes një reagimi publik, Ismaili-Ahmeti ka kritikuar përdorimin e termit “frizerkë” për një ish-presidente të shtetit, duke thënë se me këtë nuk fyhet vetëm një individ, por një profesion i tërë.
“Ato janë gra e burra që punojnë ndershëm, mbajnë familje dhe fitojnë bukën me djersë. Në një shoqëri normale puna respektohet, ndërsa vetëm mendësia feudale e sheh profesionin si mjet poshtërimi”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, përdorimi i stereotipeve gjinore dhe degradimi personal nuk përbëjnë kritikë politike, por “mjerim kulturor”.
Postimi i plotë i saj:
Për primitivizmin politik të z.Konjufca kam shkruar edhe më parë. Sot po shkruaj kundër përbuzjes klasore dhe seksizmit të këtij filozofi të provincës.
Çfarë ka të keqe të jesh frizerkë?
Ato/ata janë gra e burra që punojnë ndershëm, që mbajnë familje, që zgjohem herët dhe fitojnë bukën me djersë.
Në një shoqëri normale, puna respektohet. Vetëm mendësia feudale e sheh profesionin si mjet poshtërimi.
Kur një politikan përdor zanatin e dikujt si sharje, ai po tregon se për të dinjiteti i punëtorit nuk vlen asgjë.
Një ish-kryetar parlamenti që një ish-presidente të shtetit e quan “frizerkë” nuk po e fyen vetëm një individ. Ai po fyen një profesion të tërë dhe po e zhvesh veten nga çdo standard minimal etik e politik. Në atë fjalë ka përbuzje klasore, seksizëm dhe arrogancë primitive politike.
Por edhe më e rëndë është se kjo gjuhë përdoret për një ish-presidente të shtetit. Imagjinoni!
Mund të mos pajtohesh politikisht me të, mund ta kritikosh ashpër, por degradimi personal dhe përdorimi i stereotipeve gjinore nuk janë kritikë politike!
Ato janë mjerim kulturor.
Kur një grua në politikë sulmohet me etiketime të tilla, mesazhi është i qartë: për disa burra pushteti, gratë ende nuk shihen si lidere, por si objekte talljeje.
Nuk mund të kërkosh votat e grave dhe të flasësh me gjuhë që i ul gratë.
Ky nuk është lapsus.assesi.
Është pasqyrë e një kulture politike toksike të LVV-së.
Politika kosovare nuk ka nevojë për këso zhurme primitive; ka nevojë për standard, për argument dhe respekt njerëzor.



