Besa Ismaili para nisjes së fushatës foto me prindërit: Politika duhet të rikthejë besimin te qytetarët
Kandidatja për deputete e PDK-së, Besa Ismaili, ka postuar në “Facebook” një fotografi me prindërit e saj, para fillimit të fushatës, duke theksuar se gjenerata e prindërve tanë po jeton me shumë brenga për krizën politike dhe pasigurinë për të ardhmen e Kosovës.
Ajo ka theksuar se politika duhet të rikthejë besimin tek njerëzit dhe jo t’ua shtojë frikën për të nesërmen.
“Në çdo takim me prindërit e mi, ndjej vetëm shqetësimin e tyre dhe nevojën për më shumë stabilitet, dinjitet dhe shpresë për këtë vend. Para fillimit të kësaj fushate zgjedhore ku unë kandidoj, është shumë e rëndësishme për mua t’i dëgjoj nga afër, sepse besoj se politika duhet të rikthejë besimin tek njerëzit dhe jo t’ua shtojë frikën për të nesërmen. Kosova ka nevojë për zëra që bashkojnë, për përgjegjësi dhe për një vizion që u jep familjeve siguri dhe arsye për të besuar sërish në të ardhmen e vendit tonë”, ka shkruar Ismaili, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit garon për deputete në listën e PDK-së me numër 60.



