Bideni do ta emërojë Lloyd Austin si shef të Pentagonit, raportojnë mediet amerikane

08 dhjetor 2020 | 11:23

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, do të propozojë gjeneralin në pension, Lloyd Austin, për të qenë Sekretar i Mbrojtjes, sipas raporteve të medieve amerikane.

Nëse konfirmohet, Austin, një veteran i konflikteve në Irak dhe Afganistan, do të ishte afrikano-amerikani i parë si Sekretar i Mbrojtjes. Austini, 67 vjeç, është i diplomuar në Akademinë Ushtarake Amerikane në West Point dhe ka kaluar 41 vjet në ushtri.

Ai kishte shërbyer si zëvendësshef i parë me ngjyrë i Shtabit të Ushtrisë duke filluar më 2012 dhe më vonë udhëhoqi Komandën Qendrore të ShBA-së, para se të dilte në pension më 2016.

Emërimi do të kërkojë konfirmim nga Senati. Austini, një oficer ushtarak i karrierës, mund të përballet me kundërshtimin e ligjvënësve që besojnë në udhëheqjen civile të Pentagonit. Emërimi gjithashtu mund të nxisë polemika, sepse Austini, që nga pensionimi, ka shërbyer në bordin e një numri të kompanive, duke përfshirë prodhuesin e armëve – Raytheon Technologies.

Edhe pse shumë sekretarë të mëparshëm të Mbrojtjes kanë kaluar vite në ushtri, vetëm dy – George Marshall dhe James Mattis – kanë qenë oficerë të karrierës.

Bideni, i cili do të inaugurohet më 20 janar, ishte nën presion për të emëruar më shumë pjesëtarë të pakicave në pozicionet e kabinetit të tij.

Një zëdhënës i gjeneralit, Austini nuk pranoi të komentonte, sipas “Politico”, medium ky që raportoi i pari për emërimin duke cituar tre burime të paidentifikuara. Një zëdhënës i ekipit në tranzicion të Biden gjithashtu refuzoi të komentojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Factchecker-KS” ka publikuar raportin mujor të monitorimit të medieve dhe…