Bideni e cilëson gjykim historik vendimin për Ratko Mlladiqin

08 qershor 2021 | 17:45

Vendimi për dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq u mirëprit nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili tha se “ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ai gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar që mizori të tilla të ndodhin në të ardhmen kudo në botë”.

Në një komunikatë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara ndihmuan në udhëheqjen e përpjekjeve ndërkombëtare për t’u dhënë fund mizorive në Bosnjë dhe Hercegovinë, për të vënë para drejtësisë ata që kryen krime atje dhe në pjesë të tjera të ish Jugosllavisë dhe për të vendosur një paqe të qëndrueshme.

“Drejtësia dhe pajtimi janë themeli i paqes dhe qëndrueshmërisë për të ardhmen, dhe vendimi i sotëm është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm se kjo është e mundur. Unë sinqerisht shpresoj se udhëheqësit në rajon do ta respektojnë këtë gjykim dhe do të përforcojnë rëndësinë e tij për sundimin e ligjit”, citohet të ketë thënë presidenti Biden.

“Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mladiçit. Ne kurrë nuk mund ta zhbëjmë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të sigurojë një farë ngushëllimi për të gjithë ata që janë të pikëlluar”, thuhet në deklaratën e presidentit Biden.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guinea ka shënuar edhe golin e dytë në ndeshjen miqësore…