Bideni: Sulmet kibernetike mund të çojnë në luftë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden, ka thënë se sulmet e mëdha kibernetike në ShBA mund të çojnë në luftë të vërtetë.
Bideni ka mbajtur një fjalim para komitetit të inteligjencës.
“…nëse përfundojmë në luftë – luftë të vërtetë, me të shtëna, me një fuqi të madhe – ajo do të jetë pasojë e një shkeljeje kibernetike me pasoja të mëdha”, ka thënë Bideni.
Ai ka vënë në dukje një numër në rritje të sulmeve kibernetike kundër agjencive qeveritare dhe industrisë private në ShBA.
Zyrtarët amerikanë i kanë lidhur këto sulme me Rusinë dhe Kinën.
Disa prej tyre kanë ndodhur në gjashtë muajt e parë të presidencës Biden.
Qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm kibernetik, që është kryer më 2 korrik, kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Floridë.
Në maj, hakerët kanë sulmuar operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në ShBA, Colonial Pipeline, ndërsa në qershor, shënjestër e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit – “JBS”.
Bideni ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për sigurinë kibernetike gjatë takimit të tyre në Gjenevë, muajin e kaluar.
Bideni është zotuar se “do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm” për të ndaluar sulmet kibernetike nga Rusia, ka thënë Shtëpia e Bardhë.



