
Bie konsumi i energjisë në muajin qershor
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Energjisë” për muajin qershor 2025 me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.
Gjatë muajit qershor 2025, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 443.2 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 297.96 GWh, ose 13,25% më i vogël krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 11,39%.
Importi i energjisë elektrike në qershor 2025 ishte 299.8 GWh kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 203.05 GWh (këtu është e përfshirë edhe sasia e transmisionit).
Prodhimi i thëngjillit në muajin qershor 2025 ishte rreth 415.49 mijë ton, që paraqet një rënie prej (-33,08%) në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.