
Bie nga 100 m lartësi, humb jetën shqiptari në Itali
Një shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në Itali, pas një rrëzimi fatal në një zonë malore në veri të vendit. Viktima është identifikuar si Gëzim Iljazi, 59 vjeç, banues në provincën e Rovigos.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme pranë ujëvarave të Stulles, në provincën e Bolzanos, teksa Iljazi po ngjiste i vetëm një rrugë malore. Sipas dëshmitarëve okularë, fillimisht panë të binte çanta e tij, e më pas vetë 59-vjeçari, i cili dyshohet të ketë rrëshqitur dhe rënë nga një lartësi prej rreth 100 metrash.
Në vendin e ngjarjes ndërhynë menjëherë forcat e policisë, karabinierët, një helikopter dhe ekipe të specializuara të shpëtimit malor, por për fat të keq, shqiptari kishte ndërruar jetë në vend.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.