Bilall Sherifi: Zhvillimet do ta nxjerrin në sipërfaqe demagogjinë elektorale të qeverisë Kurti

17 prill 2021 | 10:40

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, nuk ka pritje të mëdha nga qeveria Kurti.

Ai është shprehur i bindur se zhvillimet politike do ta nxjerrin në sipërfaqe demagogjinë elektorale të kësaj qeverie.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se qytetarët që nuk e kanë votuar këtë qeveri e dinë se çfarë fshihet pas premtimeve të saj. “Mbi 22 mijë qytetarë të Kosovës që kanë mbështetur Nismën Socialdemokrate dhe të gjithë votuesit e forcave tjera politike opozitare, duke përfshirë edhe ata që kanë refuzuar të votojnë, e kanë ditur fare mirë se çfarë fshihet prapa premtimeve të tyre, prandaj kemi bindjen e plotë se zhvillimet do ta nxjerrin në sipërfaqe demagogjinë elektorale”, ka deklaruar Sherifi.

Ai ka kritikuar qeverinë për masat e reja kundër Covidit, duke treguar se çfarë duhet të bëhet për menaxhimin e pandemisë.

“Për të luftuar me sukses kundër Covid-19 qeveria duhet të zbatojë një strategji të dyfishtë: të ndërmarrë masa në mënyrë që të pamundësohet përhapja e këtij virusi dhe të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme diplomatike për sigurimin e vaksinave, si rrugë e vetme për ta ulur rrezikun me të cilin ballafaqohen edhe qytetarët e Kosovës. Fatkeqësisht masat e mbylljes totale të gastronomisë dhe bizneseve të ndryshme do të kenë vetëm pasoja ekonomike, ndërsa vendosja e orës policore në oraret e parapara nuk mund të sjellë rezultate pozitive”, është shprehur Sherifi. Sipas tij, opozita në këtë mandat do ta monitorojë punën e qeverisë dhe të ofrojë alternativa që do të ishin më të mira se projektet qeverisëse.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, në këtë proces qeveria duhet të jetë transparente. “Për Kosovën dhe të ardhmen e saj nuk ka fare rëndësi nëse qeveria e Kurtit e radhitë dialogun si prioritet të saj të parë apo të dhjetë. Për Kosovën dhe qytetarët e saj është e rëndësishme që Kurti të bëjë atë që në vazhdimësi ka kërkuar nga paraardhësit e tij: të ndërtojë një proces transparent dhe që Kosova të dalë fituese nga procesi i dialogut”, ka deklaruar Sherifi.

“Epoka e re”: Z. Sherifi, cili është vlerësimi juaj për punën e deritanishme të qeverisë Kurti?
Sherifi: Është herët për të dhënë një vlerësim të përgjithshëm të punës së deritashme të qeverisë! Sepse ende nuk kemi parë ndonjë vendim të rëndësishëm, me përjashtim të vendimit për mbylljen e gastronomisë dhe vendosjes së orës policore pas orës 22:00. Madje, siç e dimë, qeveria ende nuk ka një program mbi bazën e të cilit do të mund të matej nëse ka punuar mirë apo keq. Shenjat e deritashme nuk janë shumë premtuese.

“Epoka e re”: Vendimet kryesore deri më tani të kësaj qeverie janë: ai për vendosjen e masave të reja kundër Covidit dhe miratimi i koncept-dokumentit për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Si i keni parë këto vendime të qeverisë?
Sherifi: Për të luftuar me sukses kundër Covid-19 qeveria duhet të zbatojë një strategji të dyfishtë: të marrë masa në mënyrë që të pamundësohet përhapja e këtij virusi dhe të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme diplomatike për sigurimin e vaksinave si rrugë e vetme për ta ulur rrezikun me të cilin ballafaqohen edhe qytetarët e Kosovës. Fatkeqësisht, masat e mbylljes totale të gastronomisë dhe bizneseve të ndryshme do të kenë vetëm pasoja ekonomike, ndërsa vendosja e orës policore në oraret e parapara nuk mund të sjellë rezultate pozitive! Nëse realitetit të lartpërmendura i shtojmë faktin se këto masa nuk janë respektuar as nga vetë ideatorët e tyre, të cilët vërshuan restoranteve dhe në fushata për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, atëherë shihet qartë se vendimet e qeverisë kanë vetëm pasoja negative për ekonominë e Kosovës dhe asnjë të mirë për qytetarët e saj. Sa i përket konceptdokumentit për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, nuk mund të jap qëndrimin tonë, për arsye se, përveç asaj që është thënë në media, asgjë konkrete nuk kemi në duar. Pasi të marr formën e projektligjit do ta shqyrtojmë dhe do të dalim me qëndrim si Nismë Socialdemokrate.

“Epoka e re”: Pritjet e qytetarëve ndaj kësaj qeverie janë të mëdha, por cilat janë pritjet e juaja për këtë qeveri?
Sherifi: Sa iu përket pritjeve të qytetarëve nga qeveria e re duhet t’i saktësojmë gjërat. Nuk mund të them asgjë për pritjet e atyre që u kanë besuar kauzave të ngritura gjatë fushatave zgjedhore dhe kanë votuar për LV-në sepse nuk mund ta di se çfarë kanë shpresuar. U takon votuesve të tyre të shprehen rreth kësaj çështjeje. Mbi 22 mijë qytetarë të Kosovës që kanë mbështetur Nismën Socialdemokrate dhe të gjithë votuesit e forcave të tjera politike opozitare, duke përfshirë edhe ata që kanë refuzuar të votojnë, e kanë ditur fare mirë se çfarë fshihet prapa premtimeve të tyre, prandaj kemi bindjen e plotë se zhvillimet do ta nxjerrin në sipërfaqe demagogjinë elektorale. Sa na përket neve, jemi thellësisht të interesuar që të realizohen të gjitha premtimet e dhëna, sepse interesi i popullit është mbi interesat individuale ose të grupeve të veçanta politike. Megjithatë duhet ta kemi në kokë thënien e urtë popullore: “Atje ku tregojnë se ka dredhëza shumë, merreni shportën e vogël”!

“Epoka e re”: Cila mendoni se duhet të jetë qasja e opozitës ndaj qeverisë në këtë mandat?
Sherifi: Opozita në Kosovë duhet të bëjë punën që në çdo vend demokratik e bën opozita! Të monitorojë punën e qeverisë. Përveç kritikave për gjërat që nuk ecin si duhet, ajo duhet të ofrojë alternativa që do të ishin më të mira se projektet qeverisëse.

“Epoka e re”: BE-ja ka paralajmëruar se shumë shpejt pritet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi. Si e shihni qasjen e institucioneve të reja të Kosovës karshi këtij procesi?
Sherifi: Jemi dëshmitarë të manipulimeve numerike rreth prioriteteve, ku dialogu parashihet në një numër më poshtë se çështje të tjera. Për ne nuk është me rëndësi se në cilin numër të prioriteteve e ka vendosur qeveria dialogun me Serbinë, por mënyra se si i qaset kësaj çështjeje. Për Kosovën dhe të ardhmen e saj nuk ka fare rëndësi nëse qeveria e Kurtit e radhitë dialogun si prioritet të saj të parë apo të dhjetë. Për Kosovën dhe qytetarët e saj është e rëndësishme që Kurti të bëjë atë që në vazhdimësi ka kërkuar nga paraardhësit e tij: të ndërtojë një proces transparent dhe që Kosova të dalë fituese nga procesi i dialogut.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i…