Bisedimet me Serbinë dhe Gjykata Speciale

25 dhjetor 2019 | 11:24

Shkruan: Izmi Zeka

Kosova e pasluftës (3)

Bisedimet me Serbinë pa dashur determinuan politikat dhe hapat e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës. Mosunifikimi i skenës politike dhe loja e paqartë e politikës sonë bëri që ne të jemi në disavantazh me shfrenimin diplomatik e politik të Serbisë. Disa parti politike dashur apo pa dashur silleshin sikur ne të jemi qendra e botës dhe të jemi faktor krucial për determinimin e përgjithshëm të Ballkanit dhe politikave të tij. Vetvetiu ne filluam të dalim të paqartë në BE, të pakonsoliduar dhe tejet të dekompozuar, gjë që ndikoi edhe në raportet tona me miqtë tanë qoftë evropianë dhe amerikanë. Kjo ishte një pjesë, por kemi edhe shumë faktorë që ndikuan në raport me Kosovën për këto situata jo të mira në raport me të tjerët.

BE-ja nuk arriti t’i mbajë premtimet e dhëna dhe u tregua jokorrekte me premtimet në raport me shtetin e Kosovës. Shikuar në syrin e vlerësimit, BE-ja sikur luante me dualitet në raport me neve dhe Serbinë, gjë që ndikoi edhe në hezitimin dhe besueshmërinë e Kosovës në raport me BE-në.

Mosliberalizimi i vizave dhe përkëdhelja e Serbisë ishin dhe janë të mjaftueshme për të krijuar një opinion dhe anësi se trajtimi nuk ishte i nivelit të barabartë.

BE-ja duke luajtur me lojën tërhiq e mos e këput në mënyrë indirekte dëmtoi proceset e rëndësishme të Kosovës dhe pengoi ecjen e saj. Gjykata Speciale ishte dhe mbetet një luftë e egër dhe tejet e individualizuara duke i dhënë një shuplakë shtetit të Kosovës përmes individëve të UÇK-së e ku katërçipërisht luftohet lufta e UÇK-së.

Kjo gjykatë nuk është e rastit dhe nuk është bërë pa ndonjë qëllim të caktuar ku për të balancuar egërsinë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës qarqe të caktuara dëshirojnë ta devalvojnë një proces historik. Lufta politike dhe diplomatike e qarqeve pro serbe në Evropë e më gjerë natyrisht edhe me ndihmën e njerëzve tanë në Kosovë që nga paslufta duke deponuar gjithçka qoftë në UNMIK, EULEX dhe të gjykatat serbe imponuan krijimin e kësaj gjykate që për bazë ka një etni që shikuar në historitë botërore vështirë se gjendet ndokund që i robëruari dhe ai që ka mbrojtur pragun e shtëpisë të barazohet me agresorin. Kjo ndodh në Evropën e qytetëruar ku ligjërohet në përditshmëri barazia, të drejtat e njeriut, humaniteti etj.

Luftërat çlirimtare kanë një mision çlirimin dhe asgjë më shumë. Natyrisht aty nuk ka vend për shërbëtor të armikut dhe njerëz që shiten dhe punojnë për armiqtë e popullit.

Francezët nuk kanë pyetur kurrë gjatë dhe pas luftës së dytë botërore për eliminimin e shërbëtorëve të shteteve tjera kur kishte të bënte me shtetin e tyre.

Gjenocidi dhe masakrat në Kosovë të bëra nga shtetit serb ishin mision i organizuar shtetëror. Edhe sot kur po shkruajmë shteti serb ende nuk është gjykuar për krimet që i ka bërë në Kosovë dhe vende të tjera e që ka qenë sistem i perfeksionuar dhe qasje për likuidimin e shqiptarëve të Kosovës vetëm pse ishin shqiptarë dhe donin lirin e tyre.

Lufta politike e BE-së dhe bilanci në raport me Kosovën dhe mbështetja e fuqishme e Rusisë ka arritur që shteti serb të luajë në dy rrafshe për të ruajtur supremacinë në Ballkan e më gjerë.

Evropa duke tentuar shkëputjen nga ndikim rus ka lejuar që Serbia të rikthehet në Ballkan dhe ende të mos pranoj gjenocidin e bërë në tërë Ballkanin. Mosndëshkimi i shtetit serb për të bërat dhe luftërat në Ballkan kanë sjellë një gjendje e cila në vend të ndëshkimit kemi përkëdhelje të përditshme e që në fakt po dëmtohen interesat vitale të zhvillimit dhe civilizimit të popujve të Ballkanit.

Mosndëshkimi i kriminelëve dhe i krimit në Ballkan shfaq mundësinë e përsëritjes dhe kthimin në pikën zero të investimeve qoftë Amerikane dhe Evropiane në Kosovë e më gjerë. Serbët historikisht por edhe traktatet e ndryshme kanë dëmtuar interesat kombëtare shqiptare.

Revista mujore franceze ‘Le Cris des Peuples’ më 4 mars 1929 ka botuar shkrimin e Fan Nolit, i cili gjendet në faqen 18. Serbët dhe grekët po ushtronin metoda barbare shpronësimi, dëbimi dhe asgjesimi ndaj bashkatdhetarëve tanë, të cilët, për arsye të politikave makiavelike, fatkeqësisht u gjendën jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Në vijim, analiza alarmuese e Fan Nolit përreth kësaj situate: “Diktatura jugosllave peshon rëndë mbi të gjithë popujt e nënshtruar nga militaristët serbë. Ajo është shtypëse për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës, të aneksuara me radhë në vitin 1880, 1912, 1919 dhe 1924 nga Serbia. Bëhet fjalë për afërsisht një milion banorë të privuar nga të drejtat më bazike. As edhe një shkollë e vetme shqiptare për këtë popullatë kompakte që e kalon numrin e asaj të Shqipërisë së pavarur e të gjymtuar nga Traktatet. Asnjë shoqatë, madje as për bamirësi, nuk është lejuar për ta. Asnjë anëtar nuk i përfaqësonte në Skupshtinën (Kuvendi Serb) e shpërbërë. Udhëheqësi i tyre, Ferhat Draga, u dënua me njëzet vite burgim për kryerjen e krimit në lidhje me shpalljen e rikandidimit të tij për t’u rizgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kolegu i tij, ish-deputeti Nisam Xhafurri (Gjafuri), u vra pabesisht në vitin 1927, për të njëjtën arsye. Rivali i tyre, Jusuf Ahmeti, u vra kohëve të fundit, për arsye se guxoi të zgjidhej anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Prishtinës”.

Noli me pak fjalë ka thënë shumë, andaj sot duhet të rikthehemi në histori dhe veprimet të jenë në harmoni me politikat dhe strategjitë kombëtare.

Po ashtu e thënë mirë nga rilindësi i përmasave Evropiane Sami Frashëri në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Dy gjëra duhen në këtë jetë: e drejta dhe fuqia.

E drejta pa fuqi, si dhe fuqia pa të drejtë, është si një krah i vetëm; ndonjë zog s’fluturon dot me një krah. Më të rrallë bën punë fuqia pa të drejtë, edhe e drejta pa fuqi fort rrallë dëgjohet. Peshku i madh e ha gjithnjë të voglin.

Tani shqiptarët, që e kanë të drejtën me vete, aty s’ka dyshim. Qysh të mos ketë shqiptari të drejtë të shkruajë e të këndojë gjuhën e tij, kur gjithë kombet e kanë këtë të drejtë dhe njeri s’i ndalon? Pse shqiptarët të jenë të mërguar nga një e drejtë që e kanë gjithë kombet e dheut? Të mos mundin të shkruajnë e të mësojnë gjuhën e tyre, po të tjera kombe të huaj të vijnë e t’u hapin shkolla në gjuhët e tyre e t’u kthejnë kombësinë e gjuhën e tyre? Janë kaq të dobët shqiptarët? Jo! një mijë herë jo…!

Pamë më sipër se sa trimëri kanë bërë shqiptarët. Këta që kanë treguar trimëri për të huajt, të cilët edhe s’para ua kanë ditur, s’qenkan të zotë sot të mbajë e të ruajnë vendin, gjuhën, kombësinë e tyre? Qysh të mos jenë të zotë për këtë të drejtë, kur kanë edhe vendin e fortë që u ndih?… Një trim që lufton për plaçkë e për rrëmbim është kurdoherë i turpëruar; ai që lufto për një të drejtë të këtillë është dy herë trim; e drejta i jep një forcë e një fuqi që s’e lë kurrë të mundet, po e bën njërin të mundë dhjetë! (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
‘Pushimet fillojnë tani, 2019 ka qenë një vit shumë i…