Bisedimet me Serbinë të ndërpriten ose të ngrihen përkohësisht

31 korrik 2018 | 18:45

Shyqyri Haxha

Serbia prej vitit 1999 e deri më sot ka angazhuar tërë potencialin burimor njerëzor brenda dhe jashtë që ta ‘ulë’ në tavolinë të bisedimeve Kosovën dhe të bisedojë për çështje të brendshme të saj. Ajo në mënyrë të vazhdueshme ka insistuar që ta bindë bashkësinë ndërkombëtare që Kosova t’i nënshtrohet një procesi të quajtur ‘bisedime teknike’.

Karta e bisedimeve ‘teknike’ është ‘Kali i Trojës’ që sot përfundimisht e gjunjëzoi Kosovën t’i nënshtrohet një procesi shumë të padrejtë të bisedimeve që rrezikojnë tërësinë territoriale dhe vënë në pikëpyetje shtrirjen e shtetësisë së Kosovës në të gjithë territorin e saj.

Pala e Kosovës, si zakonisht asnjëherë, as në bisedime teknike, nuk angazhoi ekspertët më të zgjedhur të saj, përkundrazi në këto bisedime teknike kryesisht kanë marrë pjesë njerëz servilë të cilët janë të dëgjueshëm ndaj ‘shefave’. Asnjë rezultat nga bisedimet teknike nuk doli të jetë në favor të shtetit të Kosovës. Të gjitha marrëveshjet, siç janë, p. sh., marrëveshja e country code-it, e energjisë, Ujmanit etj., pra asnjë marrëveshje e ‘arritur’ nuk ka qëndrueshmëri të një shteti të pavarur. Të gjitha këto marrëveshje janë me bisht që nuk garantojnë shkëputje të plotë nga ndërhyrjet e mëtutjeshme të Serbisë.

Natyrisht se Serbia nuk do të heqë dorë nga minierat (Trepça). Pra, shtyllat kryesore të një shteti normal i ka ‘dëmtuar’ tejmase: Telekomin, energjinë, minierat, burimin e ujit etj. Një shtet që nuk ka nën kontroll të plotë këta sektorë kryesorë zhvillimorë do të dështojë që në fillim të ekzistencës së tij. Pra, sot Kosova nuk ka kontroll të plotë në asnjë sektor, as në tërësinë territoriale të saj. Të gjitha këto dështime kanë ndodhur si rezultat i mosangazhimit të njerëzve kompetentë (pra paaftësisë) dhe luftës për pushtet të lidershipit tonë.

Për lidershipin e Kosovës prioritet ka qenë lufta për të ardhur në pushtet dhe lufta që ta mbajnë pushtetin me çdo kusht. Kjo i ka kushtuar dhe do t’i kushtojë edhe më shumë Kosovës. Sot bisedimet me Serbinë janë duke ndodhur në një fazë shumë të rrezikshme për Kosovën.

Bisedimet po ndodhin pikërisht në fazën kur ShBA-ja ka një Donald J. Trump president, që absolutisht ia ka huq me të madhe dhe Britania e Madhe ballafaqohet me një betejë jashtëzakonisht të vështirë siç është BREX-iti, e që as vetë nuk është duke e ditur se çfarë do të ndodhë me të. Pra, kur miqtë tanë kryesorë nuk janë në pozitë të favorshme për të na ndihmuar, e udhës do të ishte që bisedimet me Serbinë të ndërpriten apo të ‘ngrihen’ deri në një afat më të favorshëm për Kosovën.

Serbisë po i nguten bisedimet me Kosovë pikërisht për arsyet e cekura më lart. Kosova do të duhej të pushojë pak, Kosova nuk duhet të bie pre e agjendës dhe strategjisë së Serbisë. Kosova nuk duhet të ngutet sepse ka kohë. Më mirë hiq të mos vazhdojnë bisedimet sesa të humbet territor apo ta cungohet shtetësia e vet apo që bisedimet të rezultojnë me fitoren e Pirros.

Tekefundit, për çfarë bisedohet me Serbinë? Bisedohet për Kosovën dhe për minoritetin serb me Serbinë. Kjo nuk ka logjikë për një shtet të pavarur që të bisedojë për çështje të brendshme me një shtet tjetër. Atëherë zgjidhje do të ishte të bisedohet me lidershipin serb të Kosovës dhe me garantues BE-në dhe ShBA-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetarja e “RTK”-së, Gentiana Begolli - Pustina, është zgjedhur kryetare…