Biserko s’e përjashton mundësinë që Serbia mund t’ia mësyjë ushtarakisht veriut
Shqetësuese dhe me mundësi reale të një përshkallëzimi deri në përmasa ushtarake, e ka vlerësuar situatën në pjesën veriore të Kosovës, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko.
Biserko kur ka folur për mundësinë e një përshkallëzimi real ushtarak në pjesën veriore të vendit, ka vlerësuar se “në fakt gjithçka është gati”.
“Në fakt gjithçka është gati. Dhe, mund ta bëjnë edhe pavarësisht paralajmërimeve nga Perëndimi”, ka thënë Biserka për “Reporterin”.
Dhe, jo vetëm elementi serb është i pranishëm në këtë skenar, ka rikujtuar ajo. “Faktori rus është gjithashtu i rëndësishëm dhe prezent në kufi me Kosovën – Grupi Wagner dhe Ujqërit e Natës”, ka thënë ajo.
E tëra kjo, sipas saj është duke ndodhur sepse “Rusisë i duhet një tjetër front për të shpërqendruar vëmendjen nga Ukraina”.
E pyetur rreth gjuhës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili në një shpërthim të paprecedentë nervash, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin e ka quajtur “llum terrorist”, Biserko ka thënë se “kjo gjuhë ka për qëllim radikalizimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës”.
“Dhe, siç mund edhe ta shohim, ajo po përshkallëzohet orë pas ore”, ka thënë ajo.
Tërë situatën të nisur me dorëheqjet masive të serbëve nga institucionet e deri te vendosja e tashmë dhjetëra barrikadave në pjesën veriore, Biserko është duke e parë për mbulojë të refuzimit ndaj planit franko-gjerman.
“Ndarja gjithmonë ka qenë i vetmi opsion i Beogradit”, është shprehur Biserko.
Aktivistja serb, ka vlerësuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, asnjëherë s’ka treguar interes në ndjekjen e politikave evropiane. Përkundrazi, thotë ajo, ka kthim mbrapsht dhe rritje të autoritarizmit.
“Vuçiqi lejoi ‘Russia Today’-n të hap zyrat e saj në Beograd dhe emëroi Aleksandër Vulinin, shef të BIA-s, avokuesin më të njëmend rus”, ka thënë ajo.
Ndërsa qasjen perëndimore ndaj Vuçiqit, Biserko vazhdon ta sheh në “politikën e të marrit me të mirë Beogradin në dëm të të tjerëve në rajon”.
Megjithëse ajo beson se “kjo po bëhet me qëllim të mirë”, Biserko e sheh “shumë jo realiste” të fitohet Beogradi për opsionin perëndimor.
“Është fatkeqe që ata s’e njohën natyrën e vërtetë të rënies së Malit të Zi. E lanë Beogradin dhe Moskën ta marrin përsipër. Vetëm kohëve të fundit i kuptuan pretendimet e justifikueshme të Kosovës si ato për targat etj”, ka thënë ajo.



