Rid Berisha: Nuk do të kriminalizohet kurrë rrëfimi për lirinë dhe shtetin e Kosovës
Gazetari Rid Berisha ka reaguar me një mesazh publik në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se Kosova “nuk kërkon asgjë më tepër, përveç drejtësisë së bazuar në fakte”.
Në reagimin e tij, ai përmend emra të njohur të luftës dhe politikës kosovare si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Sali Mustafa dhe Pjetër Shala, duke i cilësuar ata si përfaqësues të “identitetit të rrëfimit të madh për lirinë dhe shtetin tonë”.
Sipas Berishës, përpjekjet për ta kriminalizuar UÇK-në dhe prijësit e saj janë pjesë e një narrative të vazhdueshme nga Serbia dhe Rusia, të cilat, sipas tij, “e humbën luftën përballë UÇK-së dhe NATO-s, por nuk u ndalën kurrë me platforma e narrativa shoviniste”.
Ai përfundon mesazhin me një deklaratë të prerë: “Nuk do t’ia dalin ta kriminalizojnë rrëfimin për shtetin e Kosovës. Kurrë!”
Deklarata vjen në një kohë kur çështjet që lidhen me ish-pjesëtarët e UÇK-së vazhdojnë të jenë në fokus të debatit publik dhe proceseve gjyqësore ndërkombëtare.



