Arma amerikane, municioni turk: Ushtari i FSK-së për pak sa nuk humbi jetën nga shpërthimi brenda armës gjatë ushtrimeve

11 nëntor 2026 | 16:49

Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për pak sa nuk e ka paguar me jetë një incident të rëndë gjatë ushtrimeve ushtarake në Babaj të Bokës, ku një municion 40-milimetërsh i prodhimit turk ka shpërthyer brenda një arme amerikane të tipit “MK-19”.

Nga pamjet e incidentit të ndodhur gjatë muajit shtator, shihet pjesëtarët e FSK-së po kryenin qitje me granatahedhësin automatik amerikan, duke përdorur municion turk.

Në video shihet momenti i qitjes, i shoqëruar me një shpërthim dhe tym, ndërsa personi që po filmon reagon menjëherë dhe kamera lëviz papritur.

Sipas burimeve të “Sinjalit”, municioni ka shpërthyer brenda armës, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pjesëtarit të FSK-së që po e përdorte.

Por ky nuk është problemi i parë që, sipas burimeve, është evidentuar me këtë lloj municioni.

Burimet e “Sinjalit” zbulojnë se municioni turk kishte shfaqur defekte edhe më herët, madje në incidente të tjera pretendohet se kishte pasur edhe ushtarë të lënduar.

Për këto probleme, sipas të njëjtave burime, ishin paraqitur ankesa dhe paralajmërime, por ato nuk ishin marrë parasysh dhe municioni kishte vazhduar të përdorej gjatë ushtrimeve.

Madje, burimet pretendojnë se për incidentet e mëhershme ishin përpiluar raporte, të cilat nuk ishin bërë publike.

Incidenti i shtatorit ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e pjesëtarëve të FSK-së dhe përdorimin e municionit për të cilin, sipas informacioneve të “Sinjalit”, kishte pasur paralajmërime të vazhdueshme.

Pretendimet për defektet, lëndimet e mëhershme dhe raportet e papublikuara nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga “Sinjali”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur një deklarate…