Bislimi: Duhet të jemi të gatshëm për luftë, sulmi sikur ai i Banjskës mund të përsëritet

29 prill 2024 | 10:56

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar për mediumin ukrainas “European Pravda” se një sulm i ngjashëm si me atë në Banjskë, mund të përsëritet sërish.

Ai ka shtuar se Kosova duhet të jetë gati për luftë.

“Ne duhet të jemi të gatshëm për luftë. Por, një luftë konvencionale është e pamundur tani, pasi jemi të mbrojtur nga trupat e KFOR-it. Megjithatë, siç tregoi shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të niset kundër nesh – dhe ne duhet të jemi të përgatitur që kjo të ndodhë përsëri në çdo kohë”, ka deklaruar Bislimi.

Ndërkaq siç shkruan mediumi ukrainas, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci  ka theksuar se sulmi në Banjskë më 24 shtator mund të kishte sjellë më tepër viktima, shkruan Telegrafi.

Ai ka shtuar se serbët që sulmuan në Banjskë ku u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishin të stërvitur dhe kishin synim pushtimin e veriut.

“Kjo situatë tregoi se jetët e të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht nga etnia, janë të rëndësishme për ne. Sulmi ndaj manastirit mund të kishte çuar në viktima të shumta civile, kështu që ne duhet ta braktisnim atë,” thotë Maqedonci.

Ministri  i Mbrojtjes tutje ka thënë se sulmi në Banjskë ishte, si një tentim për të pushtuar veriun e Kosovës.

“Ata kishin armë që janë në shërbim të ushtrisë serbe – për më tepër, këta njerëz ishin të trajnuar posaçërisht, duke jetuar në kazermat e ushtrisë serbe. Duket se kishim të bënim me një tentim sulmi hibrid për të pushtuar veriun e Kosovës – diçka e ngjashme me atë që bëri Rusia në 2014 në Krime dhe Donbas”, ka theksuar ai.

Bislimi shton se ka arsye të besohet gjithashtu se Rusia ishte direkt e përfshirë në sulm.

“Në jug të Serbisë, në qytetin e Nishit, i cili nuk është larg nga kufiri me Serbinë, ka një qendër humanitare ruse e quajtur “Qendra Humanitare Ruse”, e cila është angazhuar zyrtarisht në sigurinë nga zjarret, por askush nuk ka parë ndonjë rezultat të punës së saj,” ka deklaruar ai.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se është e rëndësishme që perëndimi të pajtohet provat që ky ishte një sulm hibrid që kishte rrënjët e tij në udhëheqjen më të lartë të Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nxënësit e shkollave të Gjilanit kanë kërkuar të realizojnë vizita…