Bislimi: Nuk mund t’i publikoj detajet e planit franko-gjerman

06 dhjetor 2022 | 15:49

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se nuk mund ta bëjë publike përmbajtjen e planit franko-gjerman për arsye se kështu janë marrë vesh palët në dialog.

Kështu tha ai më 6 dhjetor para Komisionit për punë të jashtme dhe diasporë, ku raportoi për dialogun Kosovës-Serbi.

Ai tha se ka një dakordim mes propozuesve të planit [BE-së, Francës dhe Gjermanisë], dhe në anën tjetër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që përmbajtja e tekstit të mbahet larg publikut në mënyrë që “diskutimi të jetë sa më konstruktiv”.

Plani i BE-së, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse ka kohë që përflitet, për përmbajtjen e tij nuk ka informacione zyrtare.

I pyetur nga deputetët e komisionit se pse Kosova është pajtuar që ky proces të jetë kaq i mbyllur dhe me kaq pak informata për publikun, Bislimi tha se ka qenë kryeministri Kurti në takimin me ndërmjetësuesit ku është arritur ky dakordim, por se nuk ka pasur mundësi zgjedhje mes “opsionit të hapur ose opsionit të mbyllur”, ngase diskrecioni ka qenë kërkesë eksplicite në tavolinë.

Ai tha se edhe pse përmbajtja e të ashtuquajturit plani franko-gjerman nuk është bërë publike, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka lexuar atë, dhe ishte udhëzuar që përmbajtjen e tij ta ndante edhe me dy liderët tjerë të partive opozitare, të cilët nuk i kanë shkuar Kurtit në takim.

Pas takimit të 21 tetorit, Haradinaj kishte thënë se me Kurtin ka qenë përmbajtësor, por nuk i ishte përgjigjur gazetarëve nëse në takim ishte diskutuar për të ashtuquajturin plani franko-gjerman.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, konfirmoi më herët gjatë ditës se Prishtina dhe Beogradi kanë marrë tekstin e përditësuar të këtij plani.

Bislmi tha se Kosova e ka pranuar “draftin e përditësuar, por jo draftin final”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e kryeministri të Shqipërisë ka dënuar sulmin ndaj kryetarit…