Bislimi prezanton pakon për rimëkëmbjen e ekonomisë

28 maj 2020 | 16:10

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën ka paraqitur pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Bislimi në konferencën për media ka theksuar se pakoja e dytë për ekonomi ka një ndikim 1.2 miliard euro për pesë vjetët në vijim.

Bislimi ka thënë se me ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova e ka kaluar periudhën e deritanishme shumë më lehtë sesa vendet e tjera. “Kriza shëndetësore për të cilën po kalojmë përgjatë vitit 2020 është pa precedent sikur nga natyra ashtu edhe nga përgjigjja e institucioneve publike. Falë reagimit të hershëm të institucioneve me masa kufizuese dhe falë disiplinës së qytetarëve, Kosova ka arritur periudhën e deritanishme dukshëm më lehtë. Këto zhvillime kanë krijuar hapësirën për hapjen graduale të ekonomisë. Qeveria ka përgatitur pakon e parë me vlerë prej 190 milionë eurosh”, tha Bislimi.

Bislimi ka thënë se masa e dytë i referohet edhe rinisë e që është 38 milionë euro për start-up të të rinjve. “Pakoja tenton ta fuqizojë rolin e gruas në ekonomi. Një masë shtesë për bizneset që marrin kredi për zgjerim për tri vjet interesin e merr përsipër qeveria. Masa e dytë i referohet rinisë dhe kemi paraparë 38 milionë euro, 30 milionë euro për start-up të të rinjve. Parashihen të mbulohen 3 mijë iniciativa dhe 8 milionë euro për mbulimin e gjysmës së kostove financiare për kompanitë që shtojnë numrin e praktikantëve të rinj që qeveria merr përsipër deri në një masë njëvjeçare. Ata që punësojnë nënat, apo personat me aftësi të kufizuara, ne marrim përsipër 50 për qind të pagesës për një periudhë njëvjeçare”, ka treguar Bislimi.

Ndër të tjera, Bislimi ka thënë se masa e pestë ka të bëjë me sistemin arsimor, raporton EO. Në këtë masë do të mbështeten me 3 milionë euro studentet femërore që vijnë nga zonat rurale. “Masa e 5 ka të bëjë me sistemin arsimor dhe kjo masë parasheh pesë milionë euro për projekte hulumtuese, ku merr pjesë edhe sektori i biznesit, pastaj 5 milionë për programe të reja studimore, 3 milionë për bursa për studentët që vendosin të shkojnë në drejtime deficitare, 3 milionë euro për studentët e gjinisë femërore që vijnë nga zonat rurale. Masa e gjashtë ka për target uljen e varfërisë me 10 milionë euro për mbështetjen e projekteve në komunitetet që sigurojnë punësim sezonal”, ka treguar Bislimi.

Ai ka shtuar se qeveria do ta marrë përsipër mbulimin e kartonit të gjelbër për mërgatën që hyn në masën e nëntë, raporton EO. “Pakoja nuk është e implementuar në tërësi, mirëpo kanë arritur të përfitojnë 105 mijë përfitues socialë, 22 mijë nga sektori privat, 10 mijë nga sektori privat dhe 8 mijë janë në pritje të ekzekutimit të pagesave, 55 mijë amvisëri kanë certifikuar se kanë mbetur pa të ardhura dhe kanë mbetur për t’u verifikuar edhe 50 mijë amvisëri”, ka bërë me dije Bislimi.

Bislimi ka shtuar se ligjërisht është e mundshme që kjo pako të procedohet në Kuvend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Meghan dhe Harry janë shqetësuar për sigurinë e familjes. Duka…