Bislimi: Shkelja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi konstatohet edhe nga BE-ja

05 nëntor 2025 | 15:42

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës për Integrim, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian për Serbinë konfirmohet se Beogradi vazhdon të dështojë në respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, dhe se shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Serbi tashmë janë konstatuar.

“Sivjet në Raportin e Komisionit Evropian për Serbinë, konfirmohet se Beogradi vazhdon të dështojë në respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në raport theksohet se korniza institucionale për mbrojtjen e pakicave mbetet e paplotë dhe se shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim, nënpërfaqësim dhe pasivizim të adresave. Siç kemi denoncuar gjatë mandatit tonë, po dëshmohet se këto praktika përbëjnë artikulim të politikave që synim kanë spastrimin etnik të shqiptarëve përmes mjeteve administrative. Ky pasivizim i cili është duke u bërë për vite me radhë, është shumë e rëndësishme që më në fund BE ka pranuar që ta reflektojë dhe bëjë pjesë të vlerësimeve përfundimtare të raportit zyrtar të Komisionit Evropian, duke vendosur theks në kontrollimin e procedurave të pasivizimit”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”.

Ai ka thënë se plani i veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione nuk ka sjellë rezultate, ndërsa qasja në administratë publike, polici, arsim dhe punësim vazhdon të jetë e kufizuar e në raste edhe mungon plotësisht.

“Në raport konstatohet edhe se raportimi në televizione publike në gjuhët amëtare të minoriteteve është i pamjaftueshëm, ndërsa retorika urryese ndaj minoriteteve në Serbi nga politikanët dhe në media ka vazhduar. Kosova do të vazhdojë të ngrejë këto çështje në çdo nivel ndërkombëtar, derisa barazia, dinjiteti dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi të garantohen plotësisht”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e famshme shqiptare, Angela Martini vazhdon të jetë simbol…