Bislimi shkon sot në Beograd, flet nesër për takimet

27 tetor 2022 | 08:37

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të shkojë sot në Beograd. Ai do të bëhet një prej zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës që e ka vizituar kryeqytetin serb që prej përfundimit të luftës.

Zyra e kryeministrit njoftoi se Bislimi nesër merr pjesë në një konferencë në Beograd, ku do të flasë për “Kosovën dhe perspektivën evropiane të rajonit”.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, merr pjesë në Beograd, ditën e enjte, në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”, me fillim nga ora 17:00”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Bislimi do të qëndrojë në Beograd edhe ditën e premte, ku do të diskutojë për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Shkuarja e Bislimit në kryeqytetin serb është përcjellë përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë. Në e-mailin e datës 26 tetor, Zyra Ndërlidhëse e Serbisë konfirmon se është aprovuar kërkesa për shkuarjen e Bislimit në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Aprovimi është nënshkruar nga Dejan Paviçeviq, shef i Zyrës Ndërlidhëse serbe në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Bislimi do të hyjë në Serbi përmes pikës kufitare të Merdarës, ndërsa do të jetë i shoqëruar nga dy këshilltarë të tij, Sebastien Gricourt dhe Klisman Kadiu. Sebastien Gricourt është këshilltar i jashtëm i Bislimit, kurse Kadiu thuhet se ka pasaportë të Shqipërisë.

Sipas agjendës së Belgrade Security Conference (BSC), Bislimi të premten do të marrë pjesë në panelin me temën “Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje”. Diskutimi do të nis në orën 18:15, derisa përfundon në orën 19:15.

Bislimi është paraparë të vendoset në njërin nga hotelet më të famshme të Beogradit (emër i njohur për redaksinë).

Nesër në ditën e parë të BSC-së do të flasë edhe publicisti kosovar, Veton Surroi. Ai do të jetë pjesë e panelit ku flitet për Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit.

Surroi ka kohë që është duke lobuar për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së, por ai është duke u bllokuar nga Serbia. Për zhbllokimin e situatës rreth emërimit të tij tashmë është duke u negociuar në nivele tejet të larta dhe mësohet se Surroi këtë vizitë në Beograd do ta shfrytëzojë për lobim edhe për vete.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Betejat më të ashpra po zhvillohen tani në rajonin e…