Bizneset informohen mbi rregulloren e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale

26 shkurt 2018 | 15:05

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe kompania Pricewaterhouse Coopers (PwC) kanë organizuar një punëtori mbi rregulloren e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale, me qëllim të informimit më të mirë të bizneseve që operojnë në Kosovë me implikimet që dalin nga kjo rregullore.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka pohuar se rregullorja është e rëndësishme duke e pasur parasysh që bëhet fjalë për një kornizë të re rregullative në nivel të Bashkimit Evropian, pas disa viteve prej kur është kërkuar ofrimi i një mbrojtje më të mirë për të dhënat personale për konsumatorët. Zeka ka theksuar se Oda Amerikane dhe PwC synojnë të informojnë kompanitë me dispozitat e reja, duke pasur parasysh ndikimet që rregullorja ka, posaçërisht në aspekt të gjobave të reja të cilat sillen në 4 për qind të qarkullimit vjetor ose 20 milionë euro.

Drejtori i Departamentit Ligjor në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Valon Kryeziu, ka thënë se kjo rregullore sjellë risi në përpunimin e të dhënave personale, ku përmendi të drejtën për fshirjen e të dhënave, transferimin e tyre, forcimin e llogaridhënies, si dhe rritjen e transparencës.

Më tej, Kryeziu ka shtuar se edhe Kosova është duke punuar në harmonizimin e legjislacionit të saj nacional me rregullat në nivel të Bashkimit Evropian, duke ftuar Odën Amerikane dhe organizatat e tjera që të kontribuojnë gjatë procesit të plotësim-ndryshimit të legjislacionit.

Dzenet Garibovic, eksperte e GDPR nga PwC Kroaci, ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave si primare për kompanitë në Kosovë, duke përmendur hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen në implementimin e kësaj rregullore. Ajo ka shpjeguar se këto rregulla vlejnë për kompanitë të cilat procesojnë apo ruajnë të dhëna personale të shtetasve të Bashkimit Evropian si dhe ofrimit të shërbimeve, edhe nëse këto kompani nuk janë themeluar në vendet anëtare të BE-së.

Garibovic ka thënë se ligjet aktuale në shtetet e ndryshme duhet të jenë në përputhshmëri me GDPR ashtu që zbatimi i tyre të bëhet sa më shpejtë dhe në mënyrë të duhur.

Më tutje, pjesëmarrësit morën sqarime dhe rekomandime nga ekspertët e PwC-së në zbatimin e kësaj rregullore si dhe detajet dhe kërkesat e tjera të GDPR-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë vitit 2017 nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) janë…