Bli një eSIM për SHBA-në, por përfundon në Kinë – paralajmërim global nga studiuesit

26 gusht 2025 | 23:19

Imagjinoni veten në një kafene të Soho-s në Manhattan. Nxirrni telefonin, kontrolloni email-et, hapni hartat për t’u orientuar. Jeni të sigurt se jeni të lidhur me një operator amerikan, sepse keni blerë një eSIM udhëtimi që premton internet të shpejtë dhe të lirë në SHBA. Por papritur zbuloni diçka tronditëse: për botën dixhitale, për serverët dhe faqet ku jeni lidhur, nuk jeni fare në SHBA – jeni në Kinë.

Adresa juaj IP, që në internet tregon vendndodhjen tuaj, është regjistruar nga China Mobile, gjiganti shtetëror i telekomunikacionit në Pekin. Dhe gjithë trafiku juaj kalon nëpër infrastrukturat kineze, pa ju paralajmëruar askush.

Nuk është një skenar filmi spiunazhi, por një rast real i dokumentuar nga një studim i paraqitur në konferencën më prestigjioze të sigurisë kibernetike në botë, USENIX Security Symposium. Studiuesit kanë analizuar një fenomen gjithnjë e më të përhapur: eSIM-et ndërkombëtare, kartat virtuale që premtojnë lidhje globale pa kosto roaming-u dhe pa nevojë për të blerë SIM lokale.

Shumë të lehta për t’u përdorur, këto zgjidhje duken ideale për udhëtarët modernë: thjesht skanoni një QR code, ose instaloni një aplikacion, dhe brenda pak sekondash telefoni juaj është gati për thirrje dhe internet. Por sipas studiuesve, pikërisht kjo lehtësi fsheh rreziqe serioze, sidomos kur ofruesit e shërbimeve janë kompani me lidhje me qeverinw autoritare, si në rastin e Kinës.

Studiuesit paralajmërojnë se të dhënat e përdoruesve mund të kalojnë përmes rrjeteve të kontrolluara nga shtete që mbikëqyrin dhe censurojnë internetin, duke komprometuar privatësinë dhe sigurinë personale. Dhe përdoruesit, në shumicën e rasteve, nuk kanë asnjë mënyrë të thjeshtë për të kuptuar se ku po përfundon trafiku i tyre.

Ky rast ngre pikëpyetje të mëdha për transparencwn në dhe rregullimin e tregut të eSIM-eve, si dhe për përgjegjësinë që kanë platformat që i shesin këto shërbime. Ndërkohë, ekspertët këshillojnë përdoruesit të jenë më të kujdesshëm dhe të kontrollojnë me kujdes prej kujt e blejnë eSIM-et, sidomos nëse ato ofrojnë çmime shumë të ulëta për internet “kudo në botë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërkohë që disa vende vijojnë luftën me zjarret, një pjesë…