Politika e jashtme globale në një botë me shumë kriza

02 janar 2026 | 10:53

Shkruan: Valon Murtezaj, profesor universitar në Paris

Viti 2026 është shumë i shkurtër për të sjellë një rend të ri botëror. Por, në kohët që po jetojmë, edhe një vit i vetëm është i mjaftueshëm për të thelluar më tej mungesën e këtij rendi. Kjo sepse sistemi ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më i fragmentuar, më i paqëndrueshëm dhe, rrjedhimisht, më i paparashikueshëm. Politika e jashtme bashkëkohore po tregohet se e ka të vështirë t’i zgjidhë konfliktet përfundimisht, duke bërë që ato të kthehen në procese të zgjatura, me fillim dhe fund të paqartë. Shtetet e Bashkuara mbeten aktori kryesor global, por veprojnë në një botë të mbingarkuar me kriza. Fuqia ushtarake, pesha në sistemin ndërkombëtar dhe diplomacia po plotësojnë njëra-tjetrën, ndërsa kufijtë e ndërhyrjes tradicionale në një sistem ndërkombëtar të fragmentuar nuk janë më plotësisht të qartë.
Evropa, nga ana tjetër, në një mënyrë po zgjohet nga një iluzion i gjatë post-historik. Lufta në Ukrainë e ka detyruar Bashkimin Evropian të mendojë më shumë në terma sigurie dhe force. Investimet në mbrojtje, pavarësia energjetike dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike po shndërrohen në prioritete strategjike afatgjata.
Lufta e shkaktuar nga invazioni rus në Ukrainë mbetet një burim tensioni global. Edhe nëse intensiteti i luftimeve bie apo arrihet një marrëveshje, për të cilën po punohet intensivisht, pasojat e këtij konflikti do të vazhdojnë të ndikojnë rendin ndërkombëtar. Rusia po sfidon Perëndimin.
Lindja e Mesme mbetet një rajon konfliktesh jo vetëm të ngrira, por edhe të përsëritura, duke prodhuar vazhdimisht kriza që rezonojnë shumë përtej kufijve të saj dhe ndikojnë drejtpërdrejt stabilitetin global.
Kina, ndërkohë, po investon në ndikim afatgjatë përmes tregtisë, teknologjisë dhe diplomacisë, duke shfaqur njëkohësisht fuqinë e saj ushtarake, por pa kërkuar përplasje të drejtpërdrejta. Strategjia kineze, siç duket, synon zgjerimin gradual të ndikimit pa rrezikuar konflikte të hapura. Ndërkohë, pjesa tjetër e botës nuk është krejtësisht spektatore. Rajone dhe shtete të ndryshme në kontinente të ndryshme po veprojnë si aktorë aktivë dhe, në shumë raste, po shfrytëzojnë rivalitetin mes fuqive të mëdha për të rritur autonominë dhe peshën e tyre në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Këtu mund të përmendim vende si India, si dhe zhvillimet në Amerikën Latine.
Siç duket, në vitin 2026, politika e jashtme globale do të formësohet nga një botë që po mëson, ose ende nuk po mëson, të funksionojë pa një rend botëror të qartë.
Në këtë kontekst, Kosova duhet të mësojë të veprojë pa tronditje të mëdha, siç ishte viti 2025. Kjo, në terma më të thjeshtë, nënkupton nevojën për institucione qeverisëse të plota dhe funksionale, si dhe angazhim të qartë në forcimin e aleancave euro-atlantike. Vetëm përmes kësaj rruge, Kosova mund të sigurojë fuqizimin e saj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të perceptohet e të pranohet si një aktor i përgjegjshëm dhe serioz, gjë kjo e cila, për një shtet të ri si Republika e Kosovës, është më shumë se e rëndësishme.
Gëzuar 2026!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension Veteranët e UÇK-së…