Babai i Diana Kastratit rrëfen dështimin e institucioneve: Kërkesa për mbrojtje e vajzës nuk ishte as e protokolluar

28 tetor 2026 | 22:06

Më shumë se 15 vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, babai i saj, Gëzim Kastrati, ka rrëfyer përpjekjet e familjes për ta mbrojtur vajzën nga rreziku që i kanosej.

Në emisionin “Debat Plus”, ai ka akuzuar institucionet për neglizhencë, duke treguar se paralajmërimet dhe kërkesat për ndihmë nuk ishin trajtuar siç duhej.

Ai ka kujtuar se Diana kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, por autoritetet nuk kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme. Madje, pas vrasjes, Kastrati kishte mësuar se kërkesa e saj nuk ishte protokolluar fare në stacionin policor.

“Është e çuditshme. Nuk e kam pritur që do të ndodhte ajo që më ndodhi mua, por as që kjo gjendje do të vazhdonte kështu”, ka thënë Kastrati.

Ai ka treguar se familja kishte kaluar rreth gjashtë muaj duke kërkuar ndihmë në institucione dhe organizata të ndryshme, por përpjekjet nuk kishin dhënë rezultat.

Kastrati ka përmendur gjykatën dhe Qendrën për Punë Sociale si institucione ku kishte kërkuar ndërhyrje, duke thënë se ishte përballur me shpërfillje.

Për të, mosveprimi i institucioneve pati pasojën më të rëndë: humbjen e vajzës, e cila, përveç familjes, la pas edhe një fëmijë.

“Ne nuk kemi arritur ta shpëtojmë një jetë, jetën e fëmijës tonë, një jetë nëne, e cila ka lënë pas një fëmijë, për shkak të neglizhencës totale të institucioneve, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale, gjykata dhe prokuroritë”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka konfirmuar…