
Bllokada në Kuvend, KOMF-i: Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve
Në shenjë pakënaqësie rreth moskonstituimit të Kuvendit dhe ndikimit të kësaj bllokade në shumë procese të mbrojtjes së fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka organizuar aktivitetin me moton: “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”.
Qëllimi i këtij aktiviteti është të nxisë reflektim dhe përgjegjësi institucionale të deputetëve ndaj realitetit të vështirë me të cilin përballen shumë fëmijë në Kosovë dhe nevojave të tyre. Si pasojë e kësaj bllokade, shumë politika që ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe jetën e fëmijëve, vazhdojnë të mbesin të pa miratuara.
Stagnimi i politikave dhe reformave në fushën sociale
Sipas KOMF-it, reformat e domosdoshme për riorganizimin dhe fuqizimin e politikave sociale kanë stagnuar. “Vazhdon të mungojë miratimi i disa projektligjeve kyçe, si: Projektligji për Ndihmën Sociale; Projektligji për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuar; Projekt Kodi Civil si dhe reforma që rrjedh nga Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare. Të gjitha këto procese janë thelbësore për zbutjen e varfërisë së fëmijëve, fuqizimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve, me fokus të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm”, ka vlerësuar KOMF.
Stagnimi i politikave për shëndetin e fëmijëve
KOMF-i ka vlerësuar se politikat në fushën e shëndetit të fëmijëve po ashtu kanë stagnuar. “Ende nuk janë miratuar disa projektligje të rëndësishme, përfshirë: Projektligjin për Shëndetësi, Projektligjin për Shëndetin Mendor, Projektligjin për ndalimin e pijeve energjike për personat nën moshën 18 vjeç, etj. Zvarritja e këtyre proceseve ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e fëmijëve, duke penguar qasjen e tyre në shërbime shëndetësore cilësore dhe në kujdesin e duhur shëndetësor”, ka theksuar KOMF.
Mungesa e buxhetit për mbrojtje të fëmijëve
“Pa një Kuvend të konstituuar, nuk mund të ketë investime domethenëse në mbrojtjen e fëmijëve. Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal mbetet i pa miratuar. Përmes këtij projektligji parashihet që të bëhet zgjidhje e qëndrueshme e financimit të shërbimeve sociale të ofruara për fëmijët dhe familjet e cenueshme, përmes ndarjes së buxhetit të veçantë për shërbime sociale. Aktualisht ofruesit e shebimeve sociale qoftë ata publikë si Qendrat për Punë Sociale, qoftë ata jo-qeveritarë, janë në gjendje shumë të rëndë për shkak të mungesës së financimit, burimeve njerëzore dhe infrastrukturës adekuate”, thuhet në reagimin e KOMF-it.
Roli mbikëqyrës i Kuvendit dhe ndikimi i mungesës së tij në mbrojtjen e fëmijëve
Përveç funksionit legjislativ, Kuvendi ka edhe mandat mbikëqyrës, përfshirë monitorimin e zbatimit të ligjeve të miratuara.
KOMF-i ka theksuar se mungesa e një Kuvendi të konstituuar ndikon drejtpërdrejt në uljen e nivelit të llogaridhënies dhe mbikëqyrjes në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.
“Kjo krijon vakum institucional dhe rrezikon përkeqësimin e situatës së fëmijëve, veçanërisht atyre në rrethana të cenueshme. Situata e fëmijëve në Kosovë mbetet e vështirë. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme të disiplinimit brenda mjediseve familjare. 5 % e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara marrin shërbime cilësore shëndetësore dhe sociale. Vetëm 15% e fëmijëve në Kosovë të moshës 3 – 4 vjeç ndjekin programet e zhvillimit ne fëmijërinë e hershme”, ka theksuar KOMF-i.
Vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve të substancave narkotike ka kaluar shifrën prej 30,000, ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër. “Jashtëzakonisht shqetësues mbetet fakti që mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave është në rënie, ku nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit. Kalueshmëria në testin e arritshmërisë për vitin 2023 ishte vetëm 52.1%, ndërkaq, “PISA” e ka renditur Kosovën në vendin e 76-të nga 80 vende pjesëmarrëse. Gjatë vitit 2023, numri i fëmijëve në konflikt me ligjin që është raportuar nga Policia e Kosovës, ka qenë 2175 fëmijë”, është thënë në reagimin e KOMF-it.
KOMF-i kërkon që deputetët të reflektojnë mbi peshën e përgjegjësisë së tyre. KOMF-i konsideron që deputetët duhet të marrin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe ligjore për të vepruar urgjentisht për garantimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. “Çdo vendim që dështojnë apo vonojnë ta marrin për fëmijët, është një barrë që fëmijët e paguajnë me shëndetin, mirëqenien dhe shpesh jetën e tyre”, është theksuar në reagimin e kësaj organizate.